Kurti: Njoftova aleatët 5 ditë para vendimit për dy organizatat terroriste, por s’pajtohemi gjithmonë

Aktuale

Kurti: Njoftova aleatët 5 ditë para vendimit për dy organizatat terroriste, por s’pajtohemi gjithmonë

Më: 11 korrik 2023 Në ora: 12:35
Albin Kurti me ambasadorët e QUINT-it

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në intervistën për “Hard Talk” të BBC-së është pyetur edhe rreth koordinimit me aleatët sa i përket veriut. Kurti ka thënë se i kanë njoftuar ndërkombëtarët pesë ditë para se ta merrnin vendimin për shpalljen e dy organizatave terroriste.

Kurti ka thënë se Kosova koordinohet, por jo gjithmonë pajtohet me ndërkombëtarët për të gjitha çështjet.

“Unë jam kryeministër i Kosovës sepse Kosova është Republikë. Pesë ditë përpara se ta merrnim këtë vendimin që i shpallëm këto dy organizata terroriste, ata ishin të njoftuar për atë se çfarë do të bëjmë. Ne koordinohemi, por kjo s’do të thotë që ne pajtohemi gjithmonë për të gjitha çështjet”, ka thënë Kurti.

Lidhur me shpalljen terroriste të dy organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” ka pasur reagime të faktorit ndërkombëtar.

Bashkimi Evropian e ka cilësuar si një hap të një anshëm dhe kishin bërë thirrje që palët të përmbahen nga çdo veprim që çon në rritjen e tensioneve.

“Ne përsërisim thirrjen për të dyja palët që të përmbahen nga çdo veprim apo retorikë që mund të çojë në rritjen e mëtejme të tensioneve dhe që urgjentisht të ndërmarrin hapa për të shtensionuar situatën aktuale në veri të Kosovës në linjë me propozimin e bërë nga përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, më 22 qershor dhe deklaratës së BE-së të 3 qershorit”, kishte thënë Peter Stano.

Edhe Departamenti amerikan i Shtetit kanë deklaruar se Kosova nuk është koordinuar me ta e as me partnerët e tjerë perëndimorë lidhur me vendimin e ndërmarrë për “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat