Kurti: Pajtimi me BE-në për shtensionimin në veri - rikthen barazinë në bisedimet me Serbinë

Aktuale

Kurti: Pajtimi me BE-në për shtensionimin në veri - rikthen barazinë në bisedimet me Serbinë

Më: 12 korrik 2023 Në ora: 15:21
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se pajtimi i arritur të hënën në Bratislavë për hapat e parë drejt shtensionimit të situatës në veri të vendit, do të rikthejë barazinë në tryezën e bisedimeve me Serbinë, që sipas tij është cenuar nga vendosja e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

Qeveria e Kosovës tha se është pajtuar të zvogëlojë praninë e forcave policore në veri dhe të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe, si pjesë e veprimeve për të ulur tensionet.

Pajtimi është arritur gjatë një takimi në Bratisllavë të hënën ndërmjet zëvendës kryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Të dyja palët duhet të kenë mundësinë të negociojnë nga pozicione të barabarta gjë që është cenuar prej vendosjes së masave të përkohshme kundër Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian. Si përfundim besoj që dakordimi i Bratisllavës do të ndihmojë shumë në përforcimin e përqendrimit dhe vendosjen e barazisë midis palëve, që ndihmon zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike”, tha kryeministri Kurti.

Qeveria e Kosovës është kritikuar nga diplomacia perëndimore dhe është vënë në masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian për shkak të tensioneve në veri ku grupe protestuesish serbë dolën në rrugë duke kundërshtuar vendosjen në zyrat komunale të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, të bojkotuara nga serbët.

Qeveria e Kosovës është pajtuar të mbështes mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme në 4 komunat veriore pas stinës së verës, dhe të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve.

“Për ne si qeveri e Kosovës ka qenë gjithmonë dhe vazhdon të jetë me rëndësi që qytetarët e Republikës kudo që ata janë, pa dallim të kenë përfaqësim lokal që i përfaqëson siç duhet. Por për të arritur këtë gjë është e domosdoshme të krijohet ambienti i cili e mundëson fushatën e mirëfilltë, pluralizmin politik, pjesëmarrjen e komuniteteve lokale dhe që garanton paprekshmërinë e votës. Në këtë kontekst duhet të interpretohet edhe rëndësia që qeveria jonë ja jep sundimit të ligjit në secilën pjesë të vendit”, tha sot kryeministri Kurti.

Bashkimi Evropian tha ndërkaq se javën e ardhshme kryenegociatorёt e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Bruksel për të vazhduar diskutimet mbi zbatimin e marrëveshjes së arritur ne Bruksel dhe në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve.

Kryeministri Kurti akuzoi sot Beogradin zyrtar se ende nuk e ka pranuar publikisht që kjo marrëveshje është ligjërisht e detyrueshme, që sipas tij është një nga parakushtet për zbatim të suksesshëm të saj. Ai tha se zbatimi i neneve të kësaj marrëveshjeje nuk mund të kushtëzohet, duke iu referuar këmbënguljes së Beogradit zyrtar por edhe thirrjeve të vazhdueshme të diplomacisë perëndimore për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tha ndërkaq se njoftimet për një pajtim për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës duken si një lojë e disave në prëndim që sipas tij kërkojnë një arsye të fajësojë Serbinë dhe të ruajnë “foshnjën e tyre”.

Perëndimi është përfshirë në përpjekje për të ulur tensionet ndërmjet të dyja vendeve i shqetësuar për qëndrueshmërinë në Ballkan në një kohë kur kontinenti përballet me pasojat e agresionit rus në Ukrainë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat