Deputetja Krasniqi për katër pikat e marrëveshjes: Qeveria u zmbraps nga qasja e gabuar

Aktuale

Deputetja Krasniqi për katër pikat e marrëveshjes: Qeveria u zmbraps nga qasja e gabuar

Më: 12 korrik 2023 Në ora: 17:30
Rrezarta Krasniqi

Qeveria e Kosovës është zmbrapsur nga ajo që ka deklaruar deri më tani për situatën në pjesën veriore të vendit.

Kështu, ka thënë deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe BE-së, për qetësim të situatës në veri.

“Pikat për të cilat tashmë janë dakorduar me Bashkimin Evropian, nënkuptojnë zmbrapsjen e kësaj qeverie nga qasja e gabuar dhe e dëmshme për vendin, e cila ka prodhuar pasoja dhe sanksione të mëdha. Pra, kemi të bëjmë me pranimin e fajit, me shumë vonesë, dhe tek pasi që është shkaktuar dëmi. Së dyti, kjo ka shkaktuar humbje kohe dhe përkeqësim të pozicionit tonë si vend, karshi aleatëve tanë, SHBA-në dhe BE-në”, është shprehur Krasniqi.

Sipas saj, duhet të pritet nëse kjo marrëveshje do të ketë efekt në deeskalim të situatës.

Krasniqi, ka shtuar se kryeministri Kurti është zmbrapsur nga veprimet e tij avantureske.

“Kryeministri Kurti është zmbrapsur totalisht nga veprimet e tij avantureske dhe të rrezikshme për stabilitetin e vendit, por kjo ka ndodhur me shumë vonesë sepse dëmi veç është shkaktuar, Kosova është e sanksionuar tanimë nga BE-ja”, ka thënë Krasniqi.

Koha për të cilën janë paraparë të zbatohen këto pika është për dy javë.

Për këtë Krasniqi, ka pohuar se nëse do të ndodhë e kundërta pasojat do të jenë edhe më të mëdha.

“Nëse do të ndodhte ndryshe, pasojat vlerësoj se do të jenë edhe më të mëdha, andaj në këto rrethana kur Kryeministrit Kurti i ka humbur rruga në oborr, nuk ka alternativë tjetër, përveç se të zbatoj marrëveshjet e arritura me BE-në”, ka shtuar deputetja Krasniqi.

Bashkimi Evropian kishte paraqitur disa kërkesa për uljen e tensioneve në veri, që nisën në fund të majit, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Ndryshe, Kosova ka kërkuar vazhdimisht që të nisë zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, që u arrit në Bruksel më 27 shkurt.

Palët, më 18 mars në Ohër arritën edhe Aneksin për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat