Bytyqi për marrëveshjen e fundit: Vazhdimi i dialogut pika kryesore

Aktuale

Bytyqi për marrëveshjen e fundit: Vazhdimi i dialogut pika kryesore

Më: 12 korrik 2023 Në ora: 19:07
Sef Bytyqi

Opinionisti, Sef Bytyqi, foli rreth dakordimit të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për pikat që synojnë të shtensionojnë situatën në veri të vendit.

Bytyqi vlerësoi që pika më e rëndësishme është ajo që ka të bëjë me vazhdimin e dialogut dhe me pajtimin e marrëveshjes së Ohrit.

“Në aspektin e marrëdhënieve mes BE-së dhe Kosovës, është një përparim cilësor për shkak se kemi të bëjmë me një marrëveshje që ka obligime për të dyja palët. Pika kryesore mendoj që është pika e katërt, e cila ka të bëjë me vazhdimin e dialogut dhe për pajtimin e marrëveshjes së Ohrit. Aty patjetër Kosova duhet të insistojë që të ketë pajtim për zbatim të njëtrajtshëm dhe të plotë të marrëveshjes. Kjo nënkupton që zbutet presioni mbi Kosovën, përderisa nuk ka pasur presion të ngjashëm mbi Serbinë”, deklaroi Bytyqi.

Ndërkaq, se a mund të ketë ngecje zbatimi i këtyre pikave, Bytyqi tha se ka rrezik që një gjë e tillë të ndodhë.

“Sigurisht që Lista Serbe me mbështetje të presidentit Vuçiq nuk heziton që të angazhohet në praktika dashakeqe e destabilizuese. Nëse ka bojkotim nga Lista Serbe, atëherë përsëri kthehemi në pikën zero”, shtoi tutje Bytyqi.

Më tej, Bytyqi renditi disa mundësi pse kryeministri, Albin Kurti, u tërhoq politikisht nga qëndrimet e tij.

“E kemi parë që ka pasur një lëvizje graduale drejt një pajtimi. Gjithashtu e kemi parë që tash e sa kohë nuk ka më incidente në veri, edhe kjo ka ndikuar, kanë ndikuar edhe masat ndëshkuese, ka ndikuar gjithashtu ndryshimi i qasjes së BE-së. Thelbi i problemit është mungesa e pajtimit për zbatim të marrëveshjes së Ohrit dhe nëse nuk ka një pajtim të tillë, atëherë ndodhin kriza tjera”, theksoi Bytyqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat