E pranon komandant Remi, thotë se në Zonën Operative të Llapit nuk ka pasur sistem të rrahjes dhe vrasjes

Aktuale

E pranon komandant Remi, thotë se në Zonën Operative të Llapit nuk ka pasur sistem të rrahjes dhe vrasjes

Më: 13 korrik 2023 Në ora: 15:51
Rrustem Mustafa

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, dëshmitari Rrustem Mustafa, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) thotë se në Zonën Operative të Llapit nuk ka pasur sistem të rrahjes dhe vrasjes.

“Jo nuk e pranoj. S’ka pas sistem të rrahjes dhe vrasjes deri sa kanë ardh nën komandën tonë. Ata kanë mundur të rrahën gatë rrugës, por kur kanë ardhë në objektet  e ndalimit, ata kanë qenë nën kujdesie të mirë”, tha dëshmitari Mustafa.

Një deklarim të tillë, dëshmitari Mustafa e ka bërë pasi prokurorja Clare Lawson e ka pyetur atë se a e pranon se të mbajturit në Zonën Operative të Llapit janë rrahur dhe vrarë.

Po ashtu, e njëjta e ka pyetur edhe se a pranon se mund të ketë ndodhur që njerëzit mund të jenë rrahur në këtë zonë pasi janë arrestuar.

Në lidhje me këtë, dëshmitari Mustafa tha se nuk ka qenë në dijeni dhe nuk e di, mirëpo se nuk mund ta përjashtoj.

“Nuk kam qenë në dijeni, nuk e di, por s’muna me përjashtua, unë s’kam qenë në dijëni për asnjë rast”, tha ai.

Ndër të tjera, prokurorja Lawson ka lexuar një pjesë nga transkripti, ku sipas saj, dëshmitari Mustafa kishte thënë “nuk lejohej por kishim raste kur njerëzit rezistonin dhe ka të ngjarë që të jenë rrahur përpara se të vini në qendrën e ndalimit ku ishte Nazif Mehmedi. Në momentin që hynin aty nuk kishte më ndonjë ankesë që dikush ishte rrahur”.

E në lidhje me këtë deklaratë, ajo e pyeti nëse ankesat për rrahje kanë qenë përpara se ata të hynin në qendrën e ndalimit.

Mirëpo, dëshmitari Mustafa tha se nuk ka pasur ankesa as atëherë.

Po ashtu, i njëjti ka deklaruar se nuk ka person që është ndaluar e pastaj ekzekutuar.

Ndryshe, përgjigjet e dëshmitarit në disa pyetje tjera ka qenë e pamundur të dëgjohen gjatë transmetimit.

Ndërsa, si provë materiale është pranuar një dokument, i cili sipas prokurores Lawson, është një raport i dhjetorit të vitit 1998 dhe se është deklaratë e zonave operative që i drejtohet zëvendës komandantit operativ të Shtabit të Përgjithshëm.

Sipas saj, aty raportohet se njësitet speciale dhe policia ushtarake përballojnë me sukses luftën speciale të armikut dhe dorën e zgjatur të tij.

Në lidhje me këtë, dëshmitari Mustafa ka deklaruar se nuk i kujtohet ky dokument dhe se nuk e njeh.

“Tek është dokument nëse u marr nga arkivat s’kom pse ta kundërshtoj, po mu s’um kujtohet edhe se njohë, se s’pom kujtohet që e kom pa fare këtë dokument. Kjo është ajo koha që kom thanë edhe dje, kur ka pas shumë rekomandime që ne as si kemi shqyrtuar ndoshta”, shtoi Mustafa.

Ndryshe, në këtë seancë ka përfunduar marrja në pyetje e dëshmitarit Mustafa, nga prokurorja Lawson.

Krejt në fund, seanca ka vazhduar me marrjen në pyetje nga mbrojtja e viktimave, konkretisht Simon Laws, me kërkesën e të cilit është kaluar në seancë private.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat