Avokati i Lushtakut pas deklaratës së tij në prokurori: Ishte në vend të punës, për dallim nga Bislimi

Aktuale

Avokati i Lushtakut pas deklaratës së tij në prokurori: Ishte në vend të punës, për dallim nga Bislimi

Më: 14 korrik 2023 Në ora: 16:48
Mërgim Lushtaku

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, e ka përfunduar deklarimin në prokurori për rastin e djeshëm që ndodhi në Kuvendin e Kosovës.

Avokati i tij, Faton Fetahu, tha se bëhet fjalë për veprën penale “sulm”, që prokurorja e rastit e ka ngritur ndaj Mërgim Lushtakut dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bisilmi, teksa shtoi se Lushtaku është edhe në cilësinë e të dëmtuarit.

“Mund të themi se Lushtaku ishte në vendin e tij të punës, për dallim nga Bislimi dhe anëtarët e tjerë të qeverisë. Ai u sulmua në vendin e tij të punës. Në bazë të Kushtetutës dhe Rregullores së Punës së Kuvendit, siç e dini, deputetët kanë imunitet nga ndjekja penale, nga paditë civile, për veprimet e tyre në kuadër të fushëveprimit të tyre si deputet”, tha Fetahu.

Më tej, avokati e shpjegoi rastin se si e ka paraqitur para prokurorisë, duke thënë se Lushtaku e pa si të nevojshme një veprim simbolik, pasi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e hoqi një fotografi të Kurtit nga foltorja.

“Në rrethanat e rastit konkret, veprimi i tij ishte kundërpërgjigje ndaj skandalit që ka ndodhur dhe s’mori përgjigje Lushtaku dhe deputetët e tjerë dhe në tensionin që ata e reflektonin, e sidomos pas provokimit të situatës nga Bislimi që hoqi nga fotografinë e vendosur nga ana e deputetëve, si një rast i parë që një anëtar qeverie ndërhyn në sallën e kuvendit”.

“Atëherë në refleksion të tensionit që ai e transmetonte, është vlerësuar e nevojshme një veprim simbolik, për të cilin ka imunitet Lushtaku dhe nuk është një veprim që cenon integritetin fizik të pjesëmarrësve të tjerë, mirëpo, fatkeqësisht nga ana tjetër nuk ishte përgjigja e njëjtë”, tha ai.

Tutje, Fetahu tha se Lushtaku të gjitha veprimet e tij i ka bërë në vetëmbrojtje për ta parandaluar sulmin e atypëratyshëm, në mënyrë që sipas tij, të parandalojë një sulm ndaj tij apo kolegëve të tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat