Protesta e veteranëve, Xhelal Sveçla ‘godet’ Berat Buzhalën e Vehbi Kajtazin: Kanë thënë se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë

Aktuale

Protesta e veteranëve, Xhelal Sveçla ‘godet’ Berat Buzhalën e Vehbi Kajtazin: Kanë thënë se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë

Nga: N. Sh. Më: 15 korrik 2023 Në ora: 12:36
Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka reaguar pas paralajmërimit se sot do të mbahet një protestë në Prishtinë nga veteranët e UÇK-së.

Ministri këtë që po ndodh në Kosova e quan luftë hibride të Vuçiqit pasi e ka humbur betejën me kryeministrin Kuri dhe po tenton të nxisë trazira në Kosovë.

Sveçla çuditet se si protesta qëlloi të jetë e organizuar të shtunën, kohën e njejtë me protestën në Beograd që po organizohet kundër Vuçiqit.

“Është edhe më e çuditshme që këtë protestë e kanë thirrur Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, kur të gjithë i dijnë deklaratat e tyre publike se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë”, shkruan ndër tjera ministri.

Postimi i plotë:

Lufta hibride në aksion

Vuçiqi po e humb betejën në terren me Kurtin, prandaj edhe po i kthehet luftës hibride që përmes mekanizmave që ka në kontroll të tentojë të nxisë trazira në Kosovë.

Ai po e humb ndikimin në veriun e Kosovës sepse i janë arrestuar kriminelët kryesorë, i janë mbyllur rrugët e kontrabandës dhe i janë shkatërruar laboratorët e drogës e fermat e kriptovalutave.

Atij po i dobësohen krahët sepse dora e djathtë e tij dhe njeriu kryesor që mban lidhjen me Moskën, Aleksandër Vulin, para ca ditësh iu sanksionua nga SHBA.

Belgjika dhe Britania e Madhe ia suspenduan licencat për prodhimin e armatimit, nën dyshimet se kishte furnizuar me municion e armatim edhe Rusinë e sanksionuar.

Në Beograd, çdo të shtune, tash e disa javë ka protesta masive që kërkojnë dorëheqjen e tij, dhe nuk duket se protestat do të ndalen shumë shpejt.

I gjendur në një situatë të tillë, ku pozicioni i tij karshi Kosovës po dobësohet dita ditës, me sa duket Vuçiqi ka vendosur që t’i kthehet luftës hibride, që përmes dezinformatave, shpifjeve, krijimit të frikës e mosdurimit, të provojë të nxisë pakënaqësi e trazira edhe në Kosovë. Kjo nuk ka qëllim forcimin e pozicionit negociues të Vuçiqit, por dobësimin e pozicionit të Kurtit.

Biseda të zhvilluara në Kuvend, të cilat Lista Serbe i kishte incizuar dhe incizimet ia kishte dorëzuar Vuçiqit, nga dora e Vuçiqit gjetën rrugën e tyre për t’u publikuar në një media në Kosovë.

Dhe tani si rezultat i keqinterpretimeve të qëllimta e patëm një skenë dhune të provokuar në parlamentin e Kosovës, dhe si të mos mjaftonin ato skena që portretizuan Kosovën si vend jostabil në të gjitha mediat ndërkombëtare, sot ka edhe një protestë të thirrur para qeverisë.

Është e çuditshme se si qëlloi që protesta të jetë e organizuar të shtunën, kohën e njejtë me protestën në Beograd që atje po organizohet kundër Vuçiqit.

Është edhe më e çuditshme që këtë protestë e kanë thirrur Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, kur të gjithë i dijnë deklaratat e tyre publike se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë.

Mbetet të shihet sot nëse qytetarët e Republikës së Kosovës do të ruajnë dinjitetin personal dhe pozicionin e shtetit, apo do të bien në këtë grackë të luftës hibride të Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat