Escobar raporton në Kongres për situatën në Kosovë, tregon zotimin që kanë marrë nga Serbia

Aktuale

Escobar raporton në Kongres për situatën në Kosovë, tregon zotimin që kanë marrë nga Serbia

Më: 18 korrik 2023 Në ora: 20:45 Përditësuar në ora: 21:37 më 18.07.2023
Gabriel Escobar

Kongresmeni Self, Escobarit: Pse keni këtë qasje ndaj Kosovës, nuk ka dyshim se Vuçiqi nxiti bojkotimin e zgjedhjeve në veri

Në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, është diskutuar për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe qasjen e Shteteve të Bashkuara ndaj këtij rajoni.

Kongresmeni nga Teksasi Keith Self në hapësirën e tij të pyetjeve ka pyetur të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për qasjen e balancuar në raport me Kosovën e Serbinë.

“Po dëgjoj një lloj jokonsistence. Ju keni thënë që keni qenë në anën e Kosovës në çdo moment por tani po shohim një qasje më të balancuar. Por nuk ka dyshim se Vuçiqi ka nxitur bojkotimin e zgjedhjeve të Kosovës. Kjo nuk ka aspak dyshim. Vuçiqi i ka shtyrë zgjedhjet e veta edhe për shkak të zgjedhjeve të Kosovës”, ka deklaruar Self.

Kongresmeni nga Teksasi ka insistuar edhe më tej në këtë pozicion neutral të Escobarit.

“Pse nuk kemi sanksione ndaj Serbisë kur e dimë se prej shumë vitesh importon armë nga Rusia”.

Derisa Escobar është përgjigjur se sanksionet ndaj Serbisë duhet të plotësojnë edhe disa kritere.

“Këto sanksione nuk lidhen vetëm me blerjen e armatimit rus. Po të ishte kështu edhe ndaj Turqisë do të duhej vendosur sanksione. Në pyetje janë niveli i blerjeve dhe kapacitetet. Por e kemi paralajmëruar Serbinë”, ka deklaruar Escobar.

Self ka kërkuar një koment nga Escobari edhe një qëndrim të tij në lidhje me “përkëdheljen e Serbisë” në raport me Kosovën.

Derisa Escobar ka mohuar se po ndodh një gjë e tillë.

“Kjo qasje është e gabuar dhe ne kemi fakte. Në 60 ditët e fundit ne kemi mbështetur Kosovën për liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës si dhe kemi njohur legjitimitetin e zgjedhjeve në veri edhe pse kanë dalë në zgjedhje vetëm 3%. Kemi sanksionuar edhe shefin e Inteligjencës së Serbisë”, ka deklaruar Escobar.

Në fund Kongresmeni nga Teksasi i kërkoi Escobarit të mos lejojë ndikimin e Serbisë në zonën e NATO-s.

 

Escobar reagon pas deklaratës së Engel

I dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka folur për deklaratën e ish-kongresistit amerikan, Eliot Engel, ku ka thënë se ShBA-ja në raport me Kosovën, Serbinë është duke e zbutur dhe se nuk po ireagon si ndaj Kosovës.

Escobar tha se kjo nuk qëndron ai tha se ata kanë mbështetur Kosovën edhe pse Serbia ka kundërshtuar në çështjet që administrata i dha dritën e gjelbër Prishtinës.

“Unë do të thosha se kjo është faktikisht e gabuar. Ne ishim për liberalizimin e vizave, anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës përkundër kundërshtimeve të Serbisë”.

“Ne i mbështetëm zgjedhjet  në komunat veriore përkundër kundërshtimeve të Serbisë, ne e njohën rezultatet e zgjedhjeve edhe me 3 për qind, ne e njohëm përzgjedhjen e kryetarëve të komunave edhe pse pati kundërshtime nga Serbia”.

“Ne e kemi sanksionuar po ashtu shefin e Inteligjencës së Serbisë”, ka thënë Escobar.

Escobar: Marrëveshja e Ohrit na jep mundësinë më të mirë në 15 vjet e fundit për fushatë të njohjeve globale për Kosovën

Emisari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka folur për mos-njohjen e Kosovës nga 5 shtetet e BE-së.

Escobar tha se për disa nga vendet, problem është mungesa e një marrëveshjeje dypalëshe mes Kosovës e Serbisë, e për disa të tjera është shpallja e pavarëissë së Kosovë, ndaj, sipas tij, të njëjtat do të donin të shihnin një marrëveshje normalizimi mes Kosovës e Serbisë.

“Kjo është një nga arsyet pse Marrëveshja e Ohrit na ofron mundësinë më të madhe në 15 vjet për t’u partnerizuar me Qeverinë e Kosovës për të filluar jo vetëm një fushatë njohjeje rajonale apo evropiane, por një fushatë njohjeje globale”.

“Tani ajo që shumica e këtyre vendeve dëshirojnë të shohin është vullneti i mirë i Kosovës në përmbushjen e pjesës së saj të marrëveshjes, e cila është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe”, tha Escobar.

Tutje, ai tha se një nga arsyet pse e ka inkurajuar Qeverinë e Kosovës është që të ecë përpara drejt themelimit të Asociacionit, me mbështetjen e Amerikës, “në një mënyrë që të sigurohet që ASM-ja të mos e cenojë Kushtetutën, strukturën e tyre ligjore apo funksionalitetin e tyre”.

“Kështu që ne mund të ecim përpara këtë vit në një fushatë njohjeje. Deri më sot, nuk e kam marrë atë përafrim nga Qeveria e Kosovës”, tha Escobar.

Escobar: Kemi marrë zotime nga Serbia që nuk do t’i kundërshtojë zgjedhjet në veri

Gjersa raportoi para Kongresit Amerikan, Escobar ka deklaruar se shpreson në një përparim të të dy palëve të dialogut këtë vit. Gjersa numëroi obligimet e të dy palëve në dialog, ai theksoi se marrëveshja e arritur në Ohër ofron mundësi të mirë për Kosovën dhe Serbinë në rrugëtimin marrëdhënieve paqësore me njëra-tjetrën

Zotime nga ana e Serbisë janë pranuar për moskundërshtimin e zgjedhjet e ardhshme në veri të Kosovës dhe pjesëmarrjen e serbëve lokal në to, ka deklaruar i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“Kemi marrë zotimin nga Serbia që do t’i heqin protestuesit dhe që do të marrin pjesë në zgjedhje. Nuk kemi marrë zotimin nga ana kosovare por pajtohemi me Kosovën me shumë prej standarteve demokratike që dëshirojnë t’i zbatojnë. Pajtohemi me Kosovën që ata që sulmojnë gazetarët, Policinë e KFOR-in duhet të ndëshkohen por ende duam të shohim përafrim më të madh për sa i përket planit evropian”, ka deklaruar ai.

Escobar ka theksuar se marrëveshja e arritur në Ohër ofron mundësi të mirë për Kosovën dhe Serbinë në rrugëtimin drejt ndërtimit të marrëdhënieve paqësore me njëra-tjetrën.

“Marrëveshja i kërkon Serbisë që ta njohë sovranitetin e Kosovës dhe integritetin e saj territorial. T’ia njohë simbolet kombëtare, flamurin, dokumentet qeveritare, diplomat, targat e makinave dhe ia ndalon Serbisë që ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Kosovës i kërkohet që të zbatojë obligimin që e ka për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ne besojmë që të dyja vendet duhet të angazhohen menjëherë në këto aspekte, pa parakushte”, ka thënë Escobar.

Escobar raporton në Kongres: Këto janë fjalët e tij për Kosovën

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka nisur raportimin e tij në Komitetin për Punë të Jashtme.

Ai duke paraqitur raportin për Ballkanin Perëndimor, ka folur për situatën në Kosovë dhe raportin e saj me Serbinë.

Për Escobar, marrëveshja e arritur në Ohër më 18 mars në mes të Kosovës dhe Serbisë paraqet një mundësi të madhe për të dyja palët.

“Marrëveshja e Ohrit siguron mundësi për të dyja vendet, për të krijuar një marrëdhënie paqësore dhe hapjen e një dere drejt integrimit evropian. Marrëveshja kërkon njohjen e Kosova nga Serbia. Njohjen e simboleve, diplomat, targat. Kosovës marrëveshja ia kërkon zbatimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe”, është shprehur Escobar.

“Besoj që të dyja vendet duhet të angazhohen për këtë pa kushte. Ne angazhohemi që të dyja palëve t’ua kujtojmë obligimet në mënyrë që të kemi progres të dukshëm gjatë këtij vitit”.

Masat ndaj Kosovës, Escobar ka thënë se refuzon t’i quajë sanksionet, derisa ka përmendur se e vetmja gjë me të cilën nuk është pajtuar ShBA-ja ka qenë dërgimi me polici i kryetarëve në katër komunat veriore.

“Do të punojmë për realizimin e planit trepikësh”, ka thënë ai duke folur për rrugën përpara si dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat