Pula: Themelimi i Asociacionit nënkupton betonizimin e Serbisë brenda Kosovës

Aktuale

Pula: Themelimi i Asociacionit nënkupton betonizimin e Serbisë brenda Kosovës

Më: 19 korrik 2023 Në ora: 18:12
Shqiprim Pula

Shqiprim Pula, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka thënë se kërkesa për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të kundërshtohet. Ai ka theksuar se një kërkesë e tillë është krejtësisht e panevojshme në komunat që konsiderohen me shumicë serbe.

Pula ka shtuar se kjo kërkesë shkon vetëm në favorin e Serbisë.

“Kërkesa për themelimin e Asociacionit është përtej nevojave reale të përditshmërisë, jetës civile dhe politike të komunave me shumicë serbe. Por, kjo kërkesë shkon krejtësisht në favorin serb sepse të themelohet Asociacioni do të thotë ta betonizosh Serbinë në mënyrë institucionale brenda Kosovës. Një kërkesë e tillë do të duhej të ishte e papranueshme nga spektri politik në Kosovë”, ka thënë ai.

Pula ka theksuar se Kosova përveç kundërshtimit të Asociacionit, duhet të kërkojë që trashëgimia religjioze përmes kishës ortodokse serbe të njihet si e Kosovës.

“Edhe nesër kur Kosova duke shpresuar që të bëhet anëtare e UNESCO-s, Prishtina t’i kërkojë që trashëgiminë historike, religjioze, ortodokse të Kosovës ta bëjë të Kosovës dhe jo të Serbisë, për të mos lejuar që Serbia të betonizohet edhe në aspektin religjioz përmes kishës në Kosovë. Të mos mundësojmë që Kosova të jetë edhe në aspektin religjioz edhe në aspektin institucional e betonizuar brenda Kosovës”.

Pula ka thënë se destruktiviteti i Serbisë është parë qysh prej fillimit të dialogut si ndaj Brukselit ashtu edhe ndaj Kosovës. Sipas tij, epilogu ka dështuar dhe dialogu ka dështuar pasi konsideroi se rezultatet janë krejtësisht minimale nga pritshmëritë e fillimit.

“Shihet destruktiviteti i Serbisë ndaj Brukselit dhe ndaj Kosovës. Shfaqet qartazi injoranca e skajshme e Serbisë kundrejt kërkesave të Brukselit për të përafruar qëndrimet dhe për tu dakorduar për të zbatuar dakordancat, si dokumenti bazë i shkurtit dhe dokumenti aneks i marsit në Ohër. Mosnënshkrimi i dokumenteve të dakorduara e zbehin përmbajtjen e tyre dhe i ofrojnë mosseriozitet për të mos zbatuar, ka pasur deklarim nga zyrtarët e Brukselit se nëse palët nuk e zbatojnë dokumentin bazë dhe aneksin do të kenë pasoja, kufizime. Shohim që pas atyre deklarimeve, presidenti serb deklaronte se nuk ka marrëveshje, më pas kishte deklarime se po do t’i zbatojmë pikat e caktuara. Qasja e Serbisë për ato dokumente i ka dhënë zbehjen dhe mosseriozitetin”, ka deklaruar Pula./Kohanet

Nga ana tjetër, ai ka thënë se si qasja e Përfaqësuesit të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, dhe masat e BE-së ndaj Kosovës, janë të padrejta ndaj Kosovës. Më tej, Pula ka theksuar se qytetarët e Kosovës janë terrorizuar për vite me kërkesat e Brukselit.

“Borrell është treguar krejtësisht i pasinqertë ndaj Kosovës, masat e vendosura ishin jo vetëm të padrejta por në kundërshtim me parimet universale mbi të cilat është ndërtuar unioni evropian. Angazhimi i Borrellit dikur nuk e kupton qartazi rëndësinë e raporteve tona Kosovë-Serbi. Raportet tona janë aq serioze sa duhet një qasje krejtësisht tjetër, që rrugën e drejton drejt një traktati paqeje. Qytetarët e Kosovës për të gjithë këtë periudhë kohore janë terrorizuar politikisht nga Brukseli duke pasur këtë qasje gjithmonë insistuese dhe kërkuese për koncesione të reja kundrejt Kosovës dhe e njëjta gjë nuk ka ndodhur kundrejt Serbisë”, ka përfunduar Pula.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat