​Konjufca takoi homologen e tij në Francë

Aktuale

​Konjufca takoi homologen e tij në Francë

Më: 20 korrik 2023 Në ora: 14:59
Foto nga vendngjarja

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Francë, ka takuar kryetaren e Asamblesë Kombëtare të Francës, Yawl Braun-Pivet. Ata kanë diskutuar për situatën aktuale derisa Konjufca ka thënë se ka theksuar përkushtimin e Kosovës ndaj angazhimeve që në vëmendje kanë frymën e Bashkimit Evropian.

Konjufca ka shkruar se arritjet e shtetit të Kosovës janë edhe suksese të aleatëve të cilët e kanë ofruar mbështetje.

“Diskutuam për situatën aktuale në vendet tona dhe për sfidat nëpër të cilat gjendemi aktualisht. I theksova zj. Yaël Braun-Pivet përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës ndaj angazhimeve tona që në vëmendje kanë shembullin, mjetet dhe frymën e Bashkimit Evropian, unionit të vlerave dhe qëllimeve tona të përbashkëta”, ka shkruar Konjufca.

Konjufca ka takuar edhe nënkryetaren e Asamblesë Kombëtare, Valérie Rabault, kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme, Jean-Louis Bourlanges, deputetin për francezët që jetojnë jashtë Francës, Frédéric Petit dhe kryetarin e Grupit të Miqësisë Francë-Kosovë, Jean-Philippe Ardouin.

Konjufca ka thënë se e ka theksuar nevojën për thellim të bashkëpunimit mes dy vendeve aleate.

“Republika e Kosovës është shumë e interesuar që partneriteti mes dy vendeve tona të jetë jo vetëm i vazhdueshëm dhe i palëkundur, por edhe të thellohet më tej duke lëvruar gjithë potencialin e vet, nga pikëpamja institucionale, kulturore, ekonomike dhe politike, si përgjigje e domosdoshme ndaj rrethanave ku gjendemi aktualisht si bllok perëndimor, me vlera dhe synime të përbashkëta që i mbrojmë dhe i zhvillojmë”, ka shkruar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat