Rrusta e PSD-së: Dakordimi për zgjedhje në veri është shkelje kushtetuese

Aktuale

Rrusta e PSD-së: Dakordimi për zgjedhje në veri është shkelje kushtetuese

Më: 20 korrik 2023 Në ora: 18:17
Teutë Rrusta

Teutë Rrusta nga Partia Socialdemokrate (PSD), thotë se  dakordimi i Qeverisë së Kosovë me Bashkimin Evropian për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat veriore përbën shkelje kushtetuese.

Sipas Rrustës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka të drejtë të ndërhyjë në kompetencat e kryetarëve të komunave.

“Dakordimi për zgjedhje si pjesë e procesit të de-eskalimit, e cila nëse e shohim për së afërmi është një shkelje kushtetuese se kryeministri nuk ka të drejtë të përzihet në kompetencat e kryetarëve të komunave, as për shpallje të zgjedhjeve, as për punë të tjera”, tha ajo.

Anëtarja e PSD-së tha se qendra e debatit është që Kurti është pajtuar që do të ketë zgjedhje në veri, pa dhënë dorëheqje kryetarët atje.

“Thelbi është që kryeministri Kurti është pajtuar që në veri të ketë zgjedhje, kjo është qendra e debatit. Ti kur të pajtohesh që atje do të ketë zgjedhje tash me qetë moduse që e bëjnë të pranueshme qysh atje me pas zgjedhje është temë e dytë, mandej vazhdojmë te implementimi. Gabimi është që ti nuk ki të drejtë me thënë që atje do të ketë zgjedhje pa dhënë kryetarët dorëheqje, ata nuk kanë dhënë deklaratë që dëshirojnë të dorëhiqen”, tha ajo.

Ajo tha se Qeveria e Kosovës me zor po mban zgjedhje në veri, dhe me zor po i mban zyrtarët e komunave në veri.

“Kjo është gabim. Problemi është kjo, që me zor po i mban zgjedhjet atje, me zor i mbajnë njerëzit atje, ki zero legjitimitet me bë këtë gjë edhe vazhdon me bë. Kryeministri Kurti është pajtuar për diçka që këta nuk e kanë ditë, këta në lajme po i marrin vesh”, shtoi ajo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dy ditë më parë tha se Kosova ka nisur t’ua hapë rrugën zgjedhjeve të parakohshme në komunat në veri të Kosovës, në kuadër të marrëveshjes së arritur me Bashkimin Evropian për uljen e tensioneve. Ai i është referuar pajtueshmërisë së arritur mes kryenegociatorit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi dhe të dërguarit të BE-së për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak, më 10 korrik në Bratisllavë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat