Shala: Kurti ishte kreatori i skenës së përleshjes që ndodhi në Kuvend

Aktuale

Shala: Kurti ishte kreatori i skenës së përleshjes që ndodhi në Kuvend

Më: 20 korrik 2023 Në ora: 23:59
Ferat Shala

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, thotë se kryeministri, Albin Kurti është kreatori i skenës së përleshjes që ka ndodhur javë më parë në Kuvendin e Kosovës.

Shala thotë se kryeministri Kurti në atë seancë të Kuvendit është dashur që moralisht e politikisht të raportonte për publikimin e audio-incizimeve të shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila me Slavko Simiqin nga Lista Serbe.

“Kreatori i kësaj skeme është kryeministri, sepse kryeministri do të duhej moralisht, politikisht të reflektonte dhe të raportonte për aferën ‘Zdravo’, të raportonte për situatën e atyre përgjimeve, të raportonte për komunikimin dhe bashkëpunimin që ka Lëvizja Vetëvendosje akteret e saj me elementë kriminalë të ndjekur ndërkombëtarisht tashmë”, tha ai.

Sipas Shalës, Kurti është tallur me deputetët e Kuvendit.

“Pra ai erdhi të tallej me deputetët e Kuvendit, në momentin më kritik kur duhet të jepte llogari për diçka që javë para i ka lexuar emrat e kriminelëve dhe në këtë relacion asnjë lloj skenari nuk ka qenë nga PDK veç ka pritë një raportim minimal njerëzor dhe zyrtar për diçka që mediat e kanë nxjerrë në pah një të vërtetë, një komunikim jo të sinqertë, jomoral”, tha ai.

Shala tha se deputetët e PDK-së në ditët që ka ndodhur rrahja në Kuvendin e Kosovës kanë përdorur mënyrën më demokratike.

“Ne e dimë që kryeministri ka ardhur në pushtet me dhunë dhe ka improvizuar dhunën përmes Besnik Bislimit, ne nuk kemi provokuar. Deputetët e PDK-së kanë përdorur mënyrën më demokratike, pankartat, letrat, ujin, por dhimbja ka qenë te zbulimi i aferës”, shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat