Çekia për herë të parë emëron një ambasador në Kosovë

Aktuale

Çekia për herë të parë emëron një ambasador në Kosovë

Më: 25 korrik 2023 Në ora: 13:03
Ilustrim

Republika e Çekisë, pas 15 vjetësh nga njohja e pavarësisë së Kosovës, po dërgon për herë të parë një ambasador në Kosovë, gjë që deri më tani u bllokua nga dy presidentët e mëparshme të Çekisë Vaclav Klaus dhe Milos Zeman.

Presidenti i Republikës Çeke, Petr Pavel, me ardhjen e të cilit u bë një ndryshim drastik në kursin e Politikës së Jashtme të Çekisë, ka emëruar 26 ambasadorë të rinj të Republikës Çeke në botë, përfshirë Bohumil Mazanek, në Kosovë, ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme të Çekisë.

“Në terma afatgjatë, ministria avokon që marrëdhëniet diplomatike me Kosovën të jenë në nivelin më të lartë, sepse është e nevojshme të korrigjohet qasja absurde pasi Çekia e njeh pavarësinë e Kosovës, ka ambasadë në vend por nuk ka ambasador”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Çekisë, Daniel Drake.

Deri më tani, Republika Çeke kishte vetëm të ngarkuar me punë në ambasadën në Prishtinë, sepse si Vaclav Klaus ashtu edhe Milos Zeman ishin kundërshtarë të ashpër të vendimit të qeverisë së kryeministrit të atëhershëm Mirek Topolanek për të njohur pavarësinë e Kosovës.

Vaclav Klaus e kritikoi shumë herë njohjen pavarësisë së Kosovës, ndërsa Zeman ngjalli shpresat në Serbi se Çekia mund të tërhiqte njohjen e Kosovës, megjithëse ishte e qartë se ishte një përpjekje e dështuar paraprakisht sepse kundër saj ishin qeveria, atëherë kryeministri Andrej Babis, por edhe shumica e opozitës.

Ndryshe diplomati i sapoemëruar nga Republika e Çekisë, Bohumil Mazanek, është një nga diplomatët çekë të karrierës.

Mazanek më herë ka shërbyer si ambasador i Çekisë në Lituani, i ngarkuar me punë në Tajlandë dhe konsull i përgjithshëm në Shangai të Kinës dhe Katovicë të Polonisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat