Kusari-Lila paralajmëron kallëzim penal ndaj Simiqit dhe medias që publikoi audio-incizimet

Aktuale

Kusari-Lila paralajmëron kallëzim penal ndaj Simiqit dhe medias që publikoi audio-incizimet

Më: 25 korrik 2023 Në ora: 14:18
Mimoza Kusari-Lila

Mimoza Kusari-Lila, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka deklaruar se po përgatit të ngrejë dy kallëzime penale, një ndaj ish-deputetit të Listës Serbe, Sllavko Simiq, dhe një ndaj portalit “Nacionale”, pasi kishte publikuar audio-incizime të një bisede private të saj me Simiqin.

Kusari-Lila i ka cilësuar këto audio-incizime si të jashtëligjshme.

“Kishim një debat mbi kërkesën e opozitës për të diskutuar mbi incizimet e jashtëligjshme, edhe në krejt diskutimin çdo ditë pas publikimit jam deklaruar dhe nuk kam hezituar, qoftë ndaj gazetarëve, por edhe të opinionistëve. Pyetjet që kanë qenë janë më shumë të natyrës spekulative e që kanë për synim goditje politike”, ka deklaruar ajo në një konferencë për media.

Po ashtu, ajo ka shtuar se opozita ka mundësinë të thërrasë seancë të jashtëzakonshme, por ka theksuar se nuk ka pasur përgjime të organeve të drejtësisë, por vetëm incizime të jashtëligjshme.

Për këtë arsye, ajo ka vendosur të ngrejë dy kallëzime penale, një për ish-deputetin Sllavko Simiq dhe një për portalin “Nacionale”.

Incizimet e bisedës së Kusari-Lilës me Simiqin u publikuan disa javë më herët dhe shkaktuan reagime të shumta në opinion, veçanërisht nga opozita, e cila pretendonte se Lëvizja Vetëvendosje, partia në pushtet, u koordinua me Listën Serbe për të kaluar disa ligje në Kuvend.

Gazeta “Nacionale” kishte publikuar pjesën e parë të përgjimeve, ku Kusari-Lila flet me deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq.

Këto biseda ishin zhvilluar në qershor të vitit të kaluar. Në të njëjtat, Simiq ia përmend Kusari-Lilës një bisedë që ajo e ka bërë me Milan Radojiçiqin.

Kusari-Lila e konfirmon se ka komunikuar me Radojiçiqin. Megjithatë, Kusari-Lila kishte deklaruar se ka biseduar dy – tre minuta.

Slavko Simiq i thotë që “ti e di që të kam lidhur me Milanin, keni biseduar 30-40 minuta”. Dhe Kusari-Lila nuk e mohon, por ia kthen duke i thënë “dy-tre minuta”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat