​Opozita kritikon Bislimin: Me kushtëzime nuk komunikohet me aleatë

Aktuale

​Opozita kritikon Bislimin: Me kushtëzime nuk komunikohet me aleatë

Më: 25 korrik 2023 Në ora: 15:43
Besnik Bislimi

Dy partitë opozitare, PDK dhe AAK, po e shohin të gabuar kushtëzimin e shpalljes së zgjedhjeve të reja në veri me heqjen e masave ndëshkuese të BE-së. Sipas tyre, kjo qasje e eksponentëve të qeverisë ndaj aleatëve ndërkombëtarë është e gabuar.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se kjo qeveri nuk mund t’i heq sanksionet vendit, andaj duhet të shkohet në zgjedhje të reja.

Tahiri: Përfaqësuesit e koalicionit “Zdravo” nuk munden me heq vendin nga sanksionet

“Njerëzit që e kanë vendosë vendin nën sanksione, qofshin ato nga BE-ja, apo ShBA-ja, përfaqësuesit e koalicionit ‘Zdravo’ nuk munden me heq vendin nga sanksionet. Andaj ne kërkojmë që sa më shpejtë që vendi të shkojë në zgjedhje të formojë një qeveri të re kredibile që përfaqëson interesat e qytetarëve”, tha ai.

Kritik për qasjen e qeverisë në raport me situatën në veri dhe dialogun u shpreh edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Ai tha se kushtëzimet e tilla ndaj BE-së e kthejnë prapa Kosovën.

Tahiri kritikon Qeverinë: Nuk komunikohet kështu me aleatët tanë

“Në raport me dialogun dhe shtrirjen e sovranitetin në veri, qeveria vazhdon të eksperimentoj dhe taktizoj me qëllimin e vetëm që të blej kohë. Po ashtu, vazhdon që të godet secilin partner ndërkombëtar, duke përfshirë edhe BE-në dhe ShBA-në në qëndrimet që i kanë dhënë. Ata vazhdojnë t’i japin thikë pas shpine partnerëve tanë në çdo aspekt. Nuk komunikohet kështu me BE-në dhe aleatët tanë pasi kjo vetëm e kthehen Kosovën prapa”, theksoi Tahiri.

Por në anën tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se para shpalljes së zgjedhjeve të reja në veri duhet të krijohet kushtet në teren, po ashtu edhe forma sesi vlerësohet Kosova nga BE-ja.

Ajo e konsideroi emergjente që BE-ja të rishikojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, megjithëse tha se ato momentalisht s’kanë efekt real.

Kusari-Lila: BE-ja duhet të rishikojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës

“Qasja e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës ka qenë shumë më e vrazhdë sesa ndaj Serbisë. Kosova s’ka qenë as iniciuesi i dhunës dhe as shkaktare e eskalimit. Ka qenë Serbia që përmes mekanizmave të jashtëligjshme dhe bandave kriminale në veri të orkestruara nga presidenti Vuçiq që kanë parandaluar komunitetin serb në veri të marrin pjesë në zgjedhje. Andaj e konsiderojmë të padrejtë vënien e masave të cilat ende nuk e kanë efektin e vet në kuptimin real...Është racionale dhe logjikshme se duhet rishikuar masat dhe duhet bazuar edhe nga faktet në teren. Asnjë vlerësim deri tani nuk ka thënë se Kosova ka shkaktuar dhe provokuar dhunë...Zgjedhjet e reja me legjitimet të lartë mund të mbahen kur të jenë kushtet normale në raport me rrethanat e sigurisë por edhe formën sesi vlerësohet Kosova nga BE-ja”, deklaroi ajo.

Këto komente ata i bënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, të pyetur nga gazetarët.

Dje në një takim me gazetarë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka deklaruar se Kosova nuk duhet t’i shpallë zgjedhjet në veri pa u larguar masat ndëshkuese të BE-së.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri u pyet edhe për deklaratat e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj se ish-presidenti Hashim Thaçi ka qenë turistë gjatë kohës së luftës.

Tahiri: Historia do t’ia njeh secilit vendin dhe kontributin në UÇK

“Ajo çka është e rëndësishme se ne sot po e jetojmë lirinë, shtetin e pavarur si rezultat i luftës së lavdishme të UÇK-së dhe çështjet të tjera janë të parëndësishme. Presidenti Thaçi është në një proces gjyqësor dhe nuk është e ndershme as prej juve, as prej meje dhe të tjerëve me fillu një debat të tillë se kush ka qenë si ka qenë. Besoj se historia do t’ia njeh secilit vendin dhe kontributin e tij. Ajo është më e rëndësishmja”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat