Sopjani thotë se kërcënimet ndaj policëve të rinj serbë adresë kanë Beogradin

Aktuale

Sopjani thotë se kërcënimet ndaj policëve të rinj serbë adresë kanë Beogradin

Më: 27 korrik 2023 Në ora: 18:39
Shkëlzen Sopjani

Njohësi i sigurisë, Shkelzen Sopjani, thotë se kërcënimet ndaj policëve të rinj serbë të Policisë së Kosovës, adresë kanë Beogradin.

Sopjani, thotë se Kosovës i kufizohen kapacitetet kur ka të bëjë me strukturat e një shteti tjetër, sepse sipas tij, shteti serb i ka mundësitë më të mëdha të ikë dhe të fshehet.

“Strukturat e sigurisë së Serbisë janë në atë pjesë, në pjesën e veriut goxha prezentë dhe janë mirë të kamufluara, por jo aq mirë të kamufluara që mos me ditë që janë aty prezentë. Kërcënimet vijnë prej Beogradi. Kapacitetet kufizohen kur ke të bëjë me një shtet dhe strukturat e një shteti tjetër, sepse mundësitë ata i kanë më të mëdha për me ikë dhe për m’u fshehë, por prapë se prapë ka mundësi që m’i identikfiku kanalin se kah po vijnë, por mundësisht edhe individët që po i bëjnë kërcënime”, tha ai.

Lidhur me kërcënimet ndaj policëve të rinj serbë kanë reaguar institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare, por që reagim nuk ka pasur nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Për mosreagimin e KFOR-it, sipas Sopjanit është rutinë, që siç thotë ai edhe në incidentet e fundit nuk ka pasur reagime.

“Është pak për m’u habitë, meqenëse kjo po fillon me u bë pak a shumë si rutinë prej KFOR-it, sepse edhe në incidentet e fundit që i patëm në veri, KFOR-i nuk është që ka pasur ndonjë reagim të qartë e mos të flasim të kobshëm, sepse gjithmonë ka reaguar ose në fund edhe reagimi ka qenë gjithsesi jo-konkret edhe jo shumë i qartë, pra është pak për me u habitë, tash nuk e di nëse KFOR-i po e kursen vetën prej reagimeve dhe po dëshiron me u dukë sa më i paanshëm ndaj palëve, apo ka ndonjë arsye tjetër, nuk është që e kam shumë të qartë”, tha ai.

74 policët e rinj nga komunitetet, prej tyre 45 serbë që diplomuan ditë më parë, e kanë nisur punën të hënën. Ndërsa, më 25 korrik në kanalet e Telegramit filloi të qarkullojë një postim me fotografi gjoja të serbëve që iu bashkuan PK-së. Në këtë postim janë publikuar emrat, për të cilët pretendohet se janë policë të rinj nga radhët e komunitetit serb, të cilët u thirrën edhe me emra pezhorativë, kurse përdoret edhe gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat