Durmishi: Kemi kapacitete shumë të vogla për mbikëqyrjen e të gjitha rrugëve

Aktuale

Durmishi: Kemi kapacitete shumë të vogla për mbikëqyrjen e të gjitha rrugëve

Më: 27 korrik 2023 Në ora: 21:56
Ilustrim

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, thotë që nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për mbikëqyrjen e të gjitha rrugëve në Kosovë.

Durmishi, thotë se edhe numri i inxhinierëve, të cilët merren me çështjen e certifikimit të pagesave është i vogël.

“Problemi është që ne kemi kapacitete shumë të vogla si ministri për me i mbikëqyrë të gjitha rrugët. Numri i inxhinierëve është shumë i vogël dhe ne financojmë projekte edhe nëpër komuna dhe ka shumë projekte të tilla, ku në secilën kontratë që i financojmë e që janë kontrata të komunave është nga një inxhinier i ministrisë sonë që i certifikon pagesat në fund dhe ai nuk mund t’i certifikojë pagesat në fund pa dalë në terren me pa se si janë zhvilluar punimet. Dhe, 30 të tilla i ka një inxhinier, e ka të pamundur me i mbulu të gjitha”, tha ai.

Për zgjidhjen e problemit të inxhinierëve, Durmishi thotë se janë duke angazhuar mbikëqyrje të jashtme.

“Për këtë arsye ne jemi duke angazhuar mbikëqyrje të jashtme, menaxheri është i ministrisë, mbikëqyrja është e jashtme dhe kjo ndryshon në aspektin e menaxhimit të kontratave, ndryshon shumë”, shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat