OJQ-të: Qeveria s’po e zbaton vendimin për emërimin e jashtëligjshëm të Kryeinspektorit të Punës

Aktuale

OJQ-të: Qeveria s’po e zbaton vendimin për emërimin e jashtëligjshëm të Kryeinspektorit të Punës

Më: 28 korrik 2023 Në ora: 09:33
Foto ilustrim

Konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile i përberë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), ka shprehur shqetësimin e thellë për moszbatimin e vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK), Aktgjykimit të Gjykatës Themelore Prishtinë, Aktvendimit të Gjykatës së Apelit për emërimin e jashtëligjshëm të kryeinspektorit.

Këto OJQ thonë se vendimi për anulimin e vendimit për emërimin e kryeinspektorit është marrë më shumë se një vit më parë, por që ky vendim nuk ka gjetur zbatim nga ekzekutivi.

“Edhe përkundër vendimit të KPMShCK-së, vendimit të Gjykatës, Qeveria nuk e ka anuluar vendimin për emërimin e Kryeinspektorit të Punës, e i njëjti së fundmi është emëruar anëtar i Bordit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Andaj, ne kërkojmë që të respektohen vendimet e nxjerra nga organet kompetente dhe që të anulohet vendimi i marrë në mënyrë të jashtëligjshme”, ka thënë ky konsorcium i OJQ-ve.

Në reagim, OJQ-të thonë se ka kaluar me shumë se një vit kur Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, pas monitorimit të jashtëzakonshëm, kishte marrë vendim që të anulohet vendimi për emërimin e kryeinspektorit. KPMShCK, thuhet më tej në reagim, kishte konstatuar se pozita e Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës hyn në kategorinë e pozitave të nivelit të lartë drejtues në kuadër të shërbimit civil, dhe si e tillë i nënshtrohet regjimit juridik të Ligjit për Zyrtarët Publik.

Më tej thuhet se edhe Gjykata Themelore në Prishtinë dhe Gjykata e Apelit e kanë refuzuar si të pabazuar kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të KPMShcK-së, e cila ishte parashtruar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

Po ashtu, konsorciumi i OJQ-ve thotë se Gjykata Themelore në Prishtinë me Aktgjykim ka refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e Ministrisë së Financave, të cilët kishin kërkuar anulimin e vendimit MJ.nr.50/2022 të KPMShCK-së.

Kujtojmë se më 25 maj, Qeveria e Kosovës kishte emëruar Kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës përmes një procesi të dyshimtë. Zgjedhja e Hekuran Nikçit në këtë pozitë u konstatua se u bë në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publikë.

Kjo pasi qeveria, emërimin e këtij zyrtari të lartë e ka bërë sipas Ligjit të Inspektoratit, i cili parasheh se Kryeinspektori emërohet nga Qeveria me propozim të Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale.

Në këtë mënyrë, Qeveria kishte anashkaluar Ligjin për Zyrtarët Publikë, i cili prej korrikut të vitit 2020, kur ka hyrë në fuqi, përcakton se nëpunësit civilë të kategorisë së lartë drejtuese duhet të zgjidhen sipas këtyre dispozitave të këtij ligji, të cilat kërkojnë se për këtë pozitë Ministria e Punëve të Brendshme duhet të shpallë konkurs.

Ligji për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura në nenin 22 përcakton se drejtorët ekzekutivë të agjencive janë nëpunës civilë të kategorisë së lartë drejtuese, sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë.

Në ndërkohë, vetëm dy ditë më parë, Qeveria e Kosovës miratoi Bordin e ri drejtues të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Anëtarë të Bordit janë zgjedhur: Arben Vitia, Hekuran Nikçi, Besnik Fetahu, Kastriot Meqa, Ardian Shefkiu, Izet Sadiku e Afrim Maliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat