Falja e 100 eurove - Ibrahimi: Që nga paslufta, kurrë niveli qendror nuk ka qenë më arbitrar ndaj komunave

Aktuale

Falja e 100 eurove - Ibrahimi: Që nga paslufta, kurrë niveli qendror nuk ka qenë më arbitrar ndaj komunave

Më: 28 korrik 2023 Në ora: 10:25
Sazan Ibrahimi

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka reaguar pas vendimit të djeshëm të Kuvendit për faljen e 100 eurove për tatimpaguesit.

Ibrahimi tha se që nga paslufta, kurrë niveli qendror nuk ka qenë më arbitrar dhe arrogant ndaj komunave.

“Mbrëmë Parlamenti i Republikës së Kosovës ka miratuar në lexim të dytë plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Pronën e Paluajtshme. Nuk mund të besoj që niveli qëndror, as Qeveria e as Parlamenti nuk i ka konsultuar fare komunat sa i përket impaktit të këtij ligji në komuna”, tha ai.

Sipas tij, me këtë rast niveli qendror i kërkon komunave që të bëjnë falje nga 100 eure për tatim paguesit e tatimit në pronë.

“Pra, nuk e bën niveli qendror por kërkon nga komunat që të bëjnë një veprim të tillë. Qesharake! Ky ligj do prek në masë të madhe buxhetet komunale dhe ky ligj është bërë për komuna sepse tatimi në pronë është e hyrë vetjake e komunave. Çka ndodh, është për të habitur që niveli qëndror merr vendime arbitrare në emër të komunave duke mos i konsultuar fare komunat e që ky ligj do prek në mënyrë të drejpërdrejtë buxhetet komunale ku komunat do të pësojnë nga këto veprime me dhjetra miliona euro”.

Sipas tij, nuk ka ndodhur kurrë që ligjet të cilat prekin përgjegjësitë e komunave të miratohen nga qeveria dhe parlamenti pa konsulta me komunat. Kjo po ndodh tani.

“A po ecim përpara me forcim të demokracisë apo jo. Nuk është hera e parë që kjo qeveri vepron këshu me komuna. Edhe projekt ligji për vetëqeverisje lokale është proceduar për parlament pa konsulta me kryetar të komunave. Paramendoni, ligji për vetëqeversje lokale procedohet nga qeveria për parlament pa konsulta me kryetar të komunave. Absurd! Edhe tërheqja e projekt ligjit për financa lokale ku është paraparë granti i IV për investime kapitale për komuna e që në total shuma e cila do iu ndahej komunave do të ishte mbi 100 milion eur është tërhequr në mënyrë arbitrare pas asnjë konsultë paraprake me komunat. Ndonjëherë mendoj se si do të përshkruhen këto situata nga mekanizmat e ndryshëm kombëtar dhe ndërkombëtar që monitorojnë funksionimin e demkracisë në Republikën e Kosovës sa I përket arbitraritetit të nivelit qëndror kundrejt komunave. Është për t’u ardhur keq”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat