Ambasadori britanik në Beograd: Pa kompromis Kosovë-Serbi, s’ka përparim

Aktuale

Ambasadori britanik në Beograd: Pa kompromis Kosovë-Serbi, s’ka përparim

Më: 28 korrik 2023 Në ora: 10:33
Edward Ferguson

Ambasadori i ri i Mbretërisë së Bashkuar (MB) në Beograd, Edward Ferguson, tha se Serbia është një vend shumë i rëndësishëm që mund të jetë fener i stabilitetit në rajon dhe vlerësoi se ka shumë mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit bilateral.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Beta”, ai foli edhe për raportin e vendit të tij dhe të Serbisë me Kosovën, për çka tha se nuk është sekret që Serbia dhe Britania e Madhe nuk pajtohen gjithmonë për çështjen e Kosovës.

Por shtoi se pajtohen se është në interesin e të gjithëve që të ketë stabilitet dhe siguri dhe se është e nevojshme të gjendet mënyra për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

“Paqëndrueshmëria sigurisht që nuk është në interesin e askujt. Është në interesin e të gjithëve që të ketë përparim (në marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës). Ne e mbështesim plotësisht dialogun e ndërmjetësuar BE-SHBA. Ne duam që ai proces të jetë i suksesshëm, Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar ka emëruar një të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, për t’i dhënë mbështetje shtesë këtyre përpjekjeve, prapa të cilave ne qëndrojmë plotësisht. Presim një vizitë tjetër të Lordit Peach së shpejti”, tha Ferguson.

Ai tha se gjetja e zgjidhjes i takon kryesisht qeverive të Kosovës dhe Serbisë, duke treguar se “qetësia, dialogu i vazhdueshëm dhe gatishmëria për kompromis janë thelbësisht të nevojshme, sepse pa kompromis nuk do të ketë kurrë përparim”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat