Bislimi priti në takim lamtumirës ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger

Aktuale

Bislimi priti në takim lamtumirës ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger

Më: 28 korrik 2023 Në ora: 15:07
Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim lamtumirës ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger.

“E kam shijuar kohën e kaluar në Kosovë. Kosova do të ruajë gjithmonë një vend të veçantë në zemrën time për shkak të ngrohtësisë dhe mikpritjes së njerëzve”, kështu u shpreh ambasadori Weidinger në hyrje të takimit.

Përgjatë viteve të fundit, marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Austrisë janë intensifikuar. Vizitat e nivelit të lartë në mes dy vendeve tona si dhe rritja e bashkëpunimit ka prodhuar rritje të interesit austriak për të investuar në Kosovë.

‘’Si definicion, rinia është e ardhmja e të gjitha shteteve. Me një rini kaq aktive dhe të arsimuar, unë nuk kam asnjë dyshim që Kosova do të zhvillohet në mënyrë dinamike”, tha ambasadori Weidinger.

Duke e falënderuar për kontributin e tij, bashkëpunimin e ngushtë, punën dhe konsideratën, zëvendëskryeministri Bislimi potencoi mesazhin e ambasadorit duke shtuar se “Rinia në Kosovë është e ardhmja dhe e tashmja e vendit.” Ai shtoi se Kosova po rritet e zhvillohet, përtej barrierave dhe pengesave me të cilat po përballet.

“Vendi ynë po e forcon demokracinë dhe politikat e saj anti-korrupsion, duke u fokusuar në sundimin e ligjit dhe mirëqeverisjen. Benefitet e rritjes dhe zhvillimit të vendit duhet të ndahen proporcionalisht tek qytetarët tanë dhe të ulim pabarazitë”, tha zëvendëskryeministri Bislimi, duke përmendur nga mbështetjen për lehonat dhe skemat për shtesat për fëmijë e deri tek Ligji i aprovuar dje në Kuvend për skemat pensionale të financuara nga shteti, që i jep fund një padrejtësie që ka ekzistuar deri më tani.

Në përfundim, ai e vlerësoi dhe rolin e Austrisë, si një urë lidhëse mes Kosovës dhe BE-së, në rrugëtimin tonë evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat