Pupovci për vendimin e UP-së: Personeli akademik duhet të angazhohet vetëm në institucionin amë

Aktuale

Pupovci për vendimin e UP-së: Personeli akademik duhet të angazhohet vetëm në institucionin amë

Më: 28 korrik 2023 Në ora: 19:54
Dukagjin Pupovci

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës ka vendosur që t’ua ndalojë profesorëve angazhimin nëpër institucione private të arsimit të lartë.

Eksperti i fushës së arsimit, Dukagjin Pupovci në emisioni “Ditari” tha se ky është një vendim i arsyeshëm dhe se personeli akademik duhet të angazhohet vetëm në institucionin amë, dhe jo edhe në institucione tjera të cilat i bëjnë konkurrencë UP-së.

“Unë mendoj që në kushte të rritjes së konkurrencës dhe zvogëlimit të numrit të studentëve potencial ky është një vendim i drejtë, sepse në fakt kolegjet private me programet e tyre janë një konkurrencë e drejtpërdrejtë për Universitetin e Prishtinës. Në anën tjetër duhet të kemi parasysh se personeli akademik është ai identiteti, aseti, pasuria kryesore e një institucioni të arsimit të lartë, prandaj është plotësisht e arsyeshme që personeli akademik të angazhohet vetëm në institucionin amë, dhe jo edhe në institucione tjera të cilat i bëjnë konkurrencë atij institucioni, në këtë rast UP-së”, tha Pupovci.

Ai tha se një vendim i ngjashëm është dashur që të merret edhe me universitete tjera publike, sepse edhe aty ka konkurrencë dhe shumëfishim të programeve.

Pupovci tha se kolegjet dhe universitetet tjera duhet të sigurojnë kuadrin e vetë ose ato programe duhet t’i mbyllin.

“Tani nga personeli akademik pritet që të këtë më shumë mangësi për t’u angazhuar më tepër brenda punëve të veta të rregullta në kuadër të UP-së dhe ky është një efekt pozitiv i vendimit. Por, unë mendoj që efekt pozitiv duhet të këtë edhe për kolegje private, pasi ato duhet tani ato duhet që të kujdesen për të angazhuar staf akademik të kualifikuar dhe të profilizohen në ato programe, se ku kanë staf akademik të kualifikuar. Unë jam i mendimit se një vendim i ngjashëm është dashur që të merret edhe me universitete tjera të ngjashme publike, sepse edhe aty ka konkurrencë dhe shumëfishim të programeve…Dhe mendoj se edhe këto universitete jashtë UP-së duhet të sigurojnë kuadrin e vetë ose ato programe duhet t’i mbyllim dhe të profilizohen në programe të cilat mund të sigurojnë stafin e vet”, ka deklaruar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat