“Më vjen shumë keq për fjalën e Lirë, por Gjakova nuk është në Serbi!”/ Kimete Berisha i reagon ashpër pronarit të Klanit

Aktuale

“Më vjen shumë keq për fjalën e Lirë, por Gjakova nuk është në Serbi!”/ Kimete Berisha i reagon ashpër pronarit të Klanit

Nga: M.L. Më: 29 korrik 2023 Në ora: 22:46
Kimete Berisha

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë bëri të ditur të premten se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka refuzuar ankesën e Klan Kosova lidhur me pezullimin e certifikatës së biznesit së televizionit.

Kallëzimi penal i Ministrisë ishte ngritur me “pretendimin se në certifikatën e biznesit, te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë - Serbia dhe Gjakovë - Serbia”.

Në mesin e reagimeve të shumta kryesisht në mbrojtje të televizionit në fjalë, një reagim ndryshe e pati publicistja Kimete Berisha.

Ajo në një postim në Facebook, shkroi se nuk ka liri nëse mohohet shteti.

Kështu, sipas publicistes, është tragjedi e madhe që Kosova t'i nënshtrohet parapëlqimit të një tregtari që preferon të jetë shtetas i Serbisë.

“Nëse ia bëjmë qejfin një milioneri dhe plus me paret tona ia paguajmë qejfin që të jetë shtetas i Serbisë, dalëngadalë, duke i konsideruar shkeljet kushtetuese si gabime teknike - një ditë mund të bëhet 'normale' që Kosova të konsiderohet e Serbisë!”, shkroi mes tjerash Berisha

Postimi i plotë:

Ankthi i Lirisë!

Më vjen shumë keq për fjalën e Lirë, por Gjakova nuk është në Serbi!

Fjala e lirë duhet të jetë e vërtetë! Përndryshe, fjala e lirë - por e pavërtetë, është pallavër dhe të çon në robëri!

Ku ke parë këso Lirie që e mohon shtetin e vet.

Edhe nëse krejt bota çohen në këmbë dhe thonë se është normale që pronari i një media kombëtare shqiptare e konsideron veten gjakovar i Serbisë, e Kosovën - Serbi - ne nuk bën të pranojmë se Kosova është Serbi, se nuk është.

Nëse ia bëjmë qejfin një milioneri dhe plus me paret tona ia paguajmë qejfin që të jetë shtetas i Serbisë, dalëngadalë, duke i konsideruar shkeljet kushtetuese si gabime teknike - një ditë mund të bëhet 'normale' që Kosova të konsiderohet e Serbisë!

Është tragjedi e madhe që Kosova t'i nënshtrohet parapëlqimit të një tregtari që preferon të jetë shtetas i Serbisë.

Le të jetë.

Ji i Serbisë, ji ti i kujtdo që ta do zemra, por jo në emrin e lirisë së fjalës ta mohosh shtetin e Kosovës.

Të isha gazetare e Klanit, e para do të largohesha nga një pronar që Kosovën e konsideron Serbi.

Sot Klan Kosovën po e mbrojnë veç gazetarët e saj, e pronari po hesht.

- Dil zotëri e trego çka dreqi ke nuk e ndryshon shtetësinë!

Unë prita se për një muaj do të bëhesh shtetas i Kosovës!

P.S. Liria e tepërt është robëri. (PLATO)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat