“Gazetarët ndihen të kërcënuar”, Burim Zariqi: Gjykata të mos lejojë mbylljen e “Klan Kosovës”

Aktuale

“Gazetarët ndihen të kërcënuar”, Burim Zariqi: Gjykata të mos lejojë mbylljen e “Klan Kosovës”

Më: 31 korrik 2023 Në ora: 18:26
Foto ilustrim

Asociacioni i Gazetarëve në Kosovë mbajti këtë të hënë një protestë për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Albin Kurtit që vendosi t’i pezullojë licencën televizionit “Klan Kosova”. Anëtari i Bordit të Asosacionit të Gazetarëve të Kosovës, Burim Zariqi, tha se e cilësojnë këtë akt me prapavijë të pastër politike.

Ai tha se qeveria Kurti, po tenton të frikësojë edhe mediat e tjera dhe kjo sipas tij është t’i shpallësh luftë fjalës së lirë.

“Asosacionini i Gazetarëve të Kosovës vlerëson se ky ka qenë vendim politik i qëllimshëm, luftë ndaj mediave në përgjithësi, me qëllim që të cenohet media e lirë, fjala e lirë, por që të frikësohen mediat e tjera jo vetëm Klani si televizion. Kjo është një fushatë që po vazhdon nga njerëzit e VV-së”, tha ai.

Gjatë intervistës në News Line në ABC News, Zariqi kërkoi nga gjykata të japë një vendim të drejtë dhe të paanshëm duke mos lejuar mbylljen e “Klan Kosovës”.

“AGK shpreh besimin dhe i bën thirrje gjykatës të ndërmarrë vendim të drejtë dhe të paanshëm duke mos lejuar mbylljen e një mediaje në Kosovë. Kjo ishte goditja më e madhe që mori demokracia në vend”, theksoi ai.

Sipas tij, me linçimet që bëjnë përfaqësues të qeverisë dhe të Vetëvendosjes vendosin në rrezik edhe sigurinë e vetë gazetarëve. Ai shtoi se kjo qasje linçuese është e papranueshme për një vend demokratik.

“Përfaqësues të pushtetit kanë bërë linçime të ndryshëm ndaj gazetarëve që punojnë. Këtu është shqetësimi më i madh i asosacionit të gazetarëve që po cenohet edhe siguria e gazetarëve sepse janë linçuar. Ka pasur në vazhdimësi, nga përfaqësues të pushtetit, të cilët përmes rrjeteve sociale”, theksoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat