​Sindikata e punëtorëve të AAC-së kërkon shkarkimin e drejtorit Bujar Ejupi

Aktuale

​Sindikata e punëtorëve të AAC-së kërkon shkarkimin e drejtorit Bujar Ejupi

Më: 2 gusht 2023 Në ora: 14:11
Foto ilustrim

Shoqata Sindikale e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil (“SPAAC”) ka reaguar për veprimet e fundit të drejtorit të përgjithshëm, Bujar Ejupi lidhur me hartimin e rregullores së brendshme të AAC-së. Sindikata e AAC-së kundërshton projekt-rregulloren e brendshme të AAC-së të cilën drejtori Ejupi e ka dërguar në MPB për aprovim, si dhe gjithë procesin që i ka paraprirë këtij dokumenti.

“Sindikata ka siguruar projekt-rregulloren e brendshme përmes Agjencisë për Informim dhe Privatësi sepse Bujar Ejupi ka refuzuar ta ndajë atë. Projekt-rregullorja të cilën e ka hartuar vet Bujar Ejupi, edhe pse me ligj parashihet që kjo të jetë punë e Grupit Punues, ka për qëllim shkatërrimin e një strukture funksionale e cila ka dëshmuar rezultate të konfirmuara nga vlerësimet ndërkombëtare që nga viti 2011, degradimin e pozitave dhe strukturave ku punojnë anëtarët e Sindikatës dhe avancimin e pozitave dhe strukturave ku ndodhen personat e dëgjueshëm të Ejupit”, thuhet në reagim.

Kjo sindikatë mbron fuqishëm argumentin se drejtori aktual nuk e ka kredibilitetin që të dizajnojë të ardhmen e AAC-së dhe të ekspertëve brenda saj për shkak të keqmenaxhimit të organizatës të vërtetuar me mosmiratimin nga Kuvendi i Kosovës të dy Raporteve Vjetore të Punës së AAC-së.

“Për të mos u mjaftuar me kaq, dy raporte nga institucione ndërkombëtare: njëra e mundësuar përmes Agjencisë së Bashkimit Evropian për Sigurinë e Aviacionit (EASA) dhe tjetra nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Islandës (ICETRA) rishtazi kanë konfirmuar atë që SPAAC vazhdimisht e ka sinjalizuar se AAC nën udhëheqjen e Bujar Ejupit nuk është funksionale, gjë që kërkon zgjidhje emergjente. Ndërsa për qasjen jo dinjitoze dhe diskriminuese ndaj stafit flet Raporti i Avokatit të Popullit i publikuar në qershor 2022”, njofton sindikata.

Po ashtu sipas kësaj sindikate, duhet të largohet vet ose të shkarkohet sa më parë drejtori i përgjithshëm, Bujar Ejupi.

“Një drejtor i tillë nuk i bën nderë institucionit e as shtetit dhe duhet të largohet vet ose të shkarkohet sa më parë, në mënyrë që t’i jepet mundësi AAC-së të kthejë funksionalitetin dhe profesionalizimin e dëshmuar ndër vite. Apelojmë te ministri Aliu dhe kryeministri Kurti që të angazhohen urgjentisht për ta adresuar situatën në AAC”, thuhet në fund të reagimit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat