Krivaqa dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e Marigona Osmanit

Aktuale

Krivaqa dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e Marigona Osmanit

Më: 4 gusht 2023 Në ora: 11:35 Përditësuar në ora: 12:22 më 04.08.2023
Marigona Osmani, Arbër Sejdiu, Dardan Krivaqa

Avokati i familjes Osmani: Janë të pakënaqur me dënimin ndaj Arbër Sejdiut, do ta shfrytëzojmë të drejtën e ankesës

Avokati i familjes së Marigona Osmanit, Gazmend Rexhepi, është deklaruar pas vendimit të trupit Gjykues për dënimin që iu dha Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut.

Gjykata vendosi që të dy t’i lirojë nga akuzat për veprën penale dhunimi, duke i dënuar vetëm për vrasjen, çka avokati Rexhepi e konsideroi si të rëndësishme. Mirëpo i njëjti shtoi se video-inçizimet dokumentojnë se bëhet fjalë edhe për dhunim.

“E sqaroi Gjykata, ka qenë e fshtirë me u dokumentu me prova. Fokusi im si përfaqësues ka qenë te vrasja mizore, në mënyrë që të merret dënimi maksimal. Për çështjen e dhunimit… unë vazhdoj të besoj që e ndjera ka qenë edhe e dhunuar, atë pretendim e japin edhe video-inçizimet por ta sqarojmë se ky është vetëm verdikt i gjykatës i shkallës së parë. Do ta kemi edhe të drejtën e ankesës”, deklaroi avokati i palës së dëmtuar, para mediave.

Ai sqaroi se familja nuk është e kënaqur me dënimin që iu shqiptua Arbër Sejdiut, me 15 vjet burgim.

“Familja është e frustrume për të dytin (Arbër Sejdiun) mirëpo si përfaqësues i saj jam në kontakt të vazhdueshëm. Ne i besojmë vetëm drejtësisë dhe gjykimit që bëhet në salla të gjykimit, nuk ka te na kanun e forma të tjera”.

Ndërkohë xhaxhai i Marigona Osmanit, u shpreh i frustruar me këtë vendim.

“Me Dardan Krivaqën jemi plotësisht të lumtur, me të dytin jo. Kuptohet 15 vite, 2 i ka mbajtë, 5 vite ia heqin, qysh funksionon këtu te na sistemi, por, e presim na. Ishalla kemi ymër edhe 15 vite e drejtojmë këtë situatë”, tha ai.

Dardan Krivaqa u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e Marigona Osmanit. Vendimi është shpallur sot nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

Fajtor për bashkëpjesëmarrje në “vrasje të rëndë”, është shpallur edhe i akuzuari tjetër Arbër Sejdiu.

Në dënimin e shqiptuar të dyve do t’u llogaritet koha e kaluar në paraburgim.

Vrasja e Marigona Osmanit konsiderohet si një nga më të rëndat që nga paslufta në Kosovë.

Ajo ishte 18-vjeçare kur u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.

Xhaxhai i Marigona Osmanit për Arbër Sejdiun: Shihemi pas 15 vjetësh

Xhaxhai i Marigona Osmanit, Remzi Osmani, tha se nuk është i lumtur me aktgjykimin dënues me 15 vjetësh burgim kundër Arbër Sejdiut, i dënuar për ndihmë në vrasjen e mbesës së tij.

Osmani, pas përfundimit të seancës ku u shpall aktgjykimi dënues me burgim të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës, i është drejtuar Sejdiut me fjalët: “Shihemi pas 15 vitesh”.

Pas përfundimit të seancës, Osmani është shprehur i pakënaqur me një pjesë të aktgjykimit.

“Jam plotësisht i lumtur me burgimin e përjetshëm të Dardan Krivaqës, por me të akuzuarin e dytë jo. Kuptohet 15 vite. 2 vite i ka mbajtur, pastaj pesë vite ia hjekin andej-këndej. Me u dënu për 15 vite për pjesëmarrje në vrasje është pak”, ka thënë Remzi Osmani.

I pyetur se çfarë ka nënkuptuar me fjalët që ia drejtori Arbër Sejdiut në përfundimin e seancës, ai ka thënë: “Po, e kam bërë me ia uruar lirimin pas 15 vitesh”.

Vetëm për këtë vepër penale u liruan Dardan Krivaqa e Arbër Sejdiu nga gjykata

Gjykata Themelore e Ferizajt e ka shpallur fajtor dhe dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmanit, ndërsa Arbër Sejdiun e ka dënuar me 15 vjet burgim për ndihmë në kryerje të veprës penale të vrasjes.

Krivaqa e Sejdiu akuzoheshin edhe dhunim dhe ndihmë në kryerje të dhunimit, por Gjykata i ka liruar nga akuza, “meqë në asnjë provë të vetme nuk është vërtetuar se i akuzuari e ka kryer këtë vepër penale”.

“I akuzuari Dardan Krivaqa lirohet nga aktakuza për veprën penale “Dhunimi”, meqë në asnjë provë të vetme nuk është vërtetuar se i akuzuari e ka kryer këtë vepër penale. I akuzuari Arbër Sejdiu lirohet nga aktakuza për veprën penale “Ndihmë në kryerje të veprës penale Dhunimi”, meqë në asnjë provë të vetme nuk është vërtetuar se i akuzuari e ka kryer këtë vepër penale”, ka thënë kryetari i trupit gjykues.

Sipas aktakuzës, më 22 gusht 2021, në banesën e të pandehurit Dardan Krivaqa, në rrugën “Ramadan “Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje dhe në bashkëkryerje, me qëllim të fshehjes së veprës penale dhunimi e Krivaqa ai dhe Sejdiu e kanë privuar nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me të cilën ai ishte në bashkësi jashtëmartesore.

“Qeni”, duartrokitje, britma në sallë pas shpalljes së vendimit me burgim të përjetshëm ndaj Krivaqës

Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqen për vrasjen e Marigona Osmani.

Me tu shqiptuar dënim në sallë janë dëgjuar brohorima e duartrokitje duke e mirëpritur vendimin e gjykatës. Një zë gruaje u dëgjua duke i thënë edhe “bravo për këtë qen” Krivaqes.

Ndërkohë Arbër Sejdiu është dënuar me 15 vjet burgim.

Sipas aktakuzës, më 22 gusht 2021, në banesën e të pandehurit Dardan Krivaqa, në rrugën “Ramadan “Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje dhe në bashkëkryerje, me qëllim të fshehjes së veprës penale dhunimi e Krivaqa ai dhe Sejdiu e kanë privuar nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me të cilën ai ishte në bashkësi jashtëmartesore.

Krivaqa dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e Marigona Osmanit

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shpallur Aktgjykimin dënues ndaj Dardan Krivaqës.

Ai është shpallur fajtor për vrasjen makabre të Marigona Osmanit.

Krivaqa është dënuar me burgim të përjetshëm.

Kurse Gjykata Themelore i ka shqiptuar dënim me 15 vite burgim Arbër Sejdiut, për pjesëmarrje në vrasjen e Marigona Osmanit.

Para fillimit të seancës, para objektit të Gjykatës së Ferizajt është mbajtur një protestë e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist “për të kërkuar drejtësi për Marigonën dhe ndëshkim maksimal për vrasësit”.

Përfaqësuesja e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, Bjeshkë Guri, deklaroi se nuk mund të lejojnë që Marigona të vritet për herë të dytë nga shteti.

"Jemi mbledhur këtu në ditën e shpalljes së aktgjykimit ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut për vrasjen e Marigona Osmanit. Për të mos lejuar që padrejtësia për Marigonën të vazhdojë edhe për së vdekuri. Jemi mbledhur këtu meqë jemi dëshmitarë që gjykatat në Kosovë kanë amnistuar vazhdimisht burrat që kanë vrarë gratë, duke i lënë të lirë e me dënime shumë të ulëta. Krivaqa dhe Sejdiu e vranë Marigonën me 22 gusht 2021, e sot kur po i afrohemi dy vjetorit të vrasjes së saj nuk mund të lejojmë që ajo të vritet nga shteti për herë të dytë, nuk mund të qëndrojmë të qeta derisa kjo gjykatë e çdo institucion tjetër shtetëror të rreshtohet në anën e grave", tha ajo.

Ajo shtoi se nga vendimi i sotëm presim dënim maksimal, ani pse janë skeptik për një gjë të tillë.

"Ne kemi theksuar që nga kjo gjykatë duam asgjë më pak së dënime maksimale për Krivaqën e Sejdiun. E nga këtu qojmë mesazhe për çdo institucion që t'i mbrojë gratë para se të jetë shumë vonë edhe prap theksojmë se shteti duhet ta trajtojë femicidin si urgjencë shtetërore", shtoi ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat