Tush Frroku i dyshuar për vrasjen në Klinë u ekstradua nga Italia në muajin shkurt

Aktuale

Tush Frroku i dyshuar për vrasjen në Klinë u ekstradua nga Italia në muajin shkurt

Më: 8 gusht 2023 Në ora: 08:31
Tush Frroku

Konfliktet familjare dyshohet se çuan në vrasjen e Anton Prelës, dje në lokalin Coyote Lounge Bar, në Klinë, ku ai u qëllua me armë zjarri nga dhëndëri i tij.

I dyshuari Tush Frroku, i cili po ashtu e kishte dhëndër Prelës, pasi ishin të martuar me motrat e njëri-tjetrit, tashmë është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës. Frrokaj ishte ekstraduar nga Italia në muajin shkurt të këtij viti.

Burimet kanë bërë me dije se pas rreth 3 vitesh prej kur ishte shpallur në kërkim, 48-vjeçari nga Istogu i dyshuar për vjedhje të rëndë, ishte ekstraduar në Kosovë më 14 shkurt nga shteti i Italisë dhe më pas ishte arrestuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Frokaj, ishte shpallur në kërkim fillimisht nga Policia e Kosovës, në qershor të vitit 2020 dhe kishte arritur të qëndrojë në arrati për disa vite. Ai kërkohej në bazë të një urdhëresë të lëshuar nga Gjykata Themelore në Pejë, dega në Klinë, për dy raste të veprës penale “Vjedhje e rëndë”.

Ai po kërkohet sërish nga Policia për rastin e rëndë, që ndodhi dje në Klinë, ku dyshohet se e vrau dhëndrin.

Si ndodhi rasti i fundit?

Gjithçka ndodhi pak para orës 17:00, kur në këtë lokal u dëgjuan të shtënat me armë. Ishte Frroku, ai që dyshohet se qëlloi në drejtim të Prelës, duke e lënë të plagosur dhe më pas iku me vrap nga vendi i ngjarjes, me qëllim arratisjen.

Teksa Policia u aktivizua për ta kapur, Frroku po dyshohet se ka kryer një vepër tjetër. Sipas sinjalizuesve ai ka grabitur një veturë taxie në mes të rrugës, duke e kërcënuar shoferin dhe me të njëjtin automjet është arratisur.

Por siç duket, ai ka bërë një plan tjetër që të humb gjurmët. Sipas informacioneve të para, veturën e grabitur, pas bastisjeve, Policia e ka gjetur në shtëpinë e tij, ku i dyshuari e kishte lënë dhe më pas është larguar sërish në një drejtim të panjohur.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet përkatëse, ku kanë bërë ekzaminimet e nevojshme, teksa kërkimet për Frrokun po vazhdojnë.

Për ta gjetur atë, Policia e Kosovës po kërkon ndihmën e qytetarëve, me ç’rast ka publikuar fotografinë e tij, duke kërkuar që të bashkëpunojnë me Policinë për çdo informacion rreth vendndodhjes së tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat