Çitaku: Kush e ka autorizuar Muharremin për prodhimin e dëshmitarëve të rrejshëm kundër krerëve të UÇK-së?

Aktuale

Çitaku: Kush e ka autorizuar Muharremin për prodhimin e dëshmitarëve të rrejshëm kundër krerëve të UÇK-së?

Më: 8 gusht 2023 Në ora: 12:52
Vlora Çitaku

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) po kërkon me urgjencë fillimin e hetimeve për Ridvan Muharremin, përfaqësuesin e qeverisë për furnizimin e rezervave shtetërore. Kjo parti opozitare po kërkon edhe hetim të kryeministrit Albin Kurti, që siç thuhet, ndërlidhet ngushtë me deklaratat e fundit për çështje anti-shtetërore.

Kështu u tha në konferencë për media nga nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila u shpreh se Ridvan Muharremi është ndërmjetësues i qeverisë për furnizim me rezervat shtetërore, tregti ilegale, e për krijimin e dëshmitarëve të paqenë kundër krerëve të UÇK-së.

Ajo deklaroi se albumit të skandaleve të kësaj qeverie nuk po i shihet fundi.

Çitaku: Reagimi i institucioneve të drejtësisë duhet të jetë emergjent

“Dje në dritën e zbulimit të fakteve të reja, raportimeve mediale dhe deklaratave të dëshmitarëve edhe një herë me radhë Qeveria Kurti u lidh me keqpërdorime dhe situata të shumta, të cilat këtë herë nuk ishin vetëm materiale. Prandaj, nisur nga përmbajtja e deklaratave të dëshmitarit, kjo konferencë merr edhe peshën tjetër, reagimi i institucioneve të drejtësisë duhet të jetë emergjent. Të gjithë ju, të nderuar gazetarë e të dashur qytetarë, dëgjuat dhe patë, me zë dhe figurë, dëshminë e një personi i cili ndërlidhë ndërmjetësuesin e Qeverisë Kurti për furnizime me rezervat shtetërore, Ridvan Muharremin, edhe me çështje të tjera. Tregtia ilegale me armë, gjetja nga hiqi apo krijimi i dëshmitarëve të paqenë kundër krerëve të UÇK-së dhe zhdukja e një politikani të PDK-së, të gjithat ishin subjekt i kësaj dëshmie, e cila sot kërkon vetëm një gjë: Hetim, Hetim, Hetim”, deklaron Çitaku.

Sipas Çitakut, deklaratat dhe veprimet e Muharremit paraqesin ndërhyrje të drejtpërdrejtë në drejtësi.

Çitaku: Këto deklarata dhe veprime të Ridvan Muharremit paraqesin ndërhyrje të drejtpërdrejt në drejtësi

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me urgjencë duhet të veprojë për të zbardhur të vërtetën e këtyre pretendimeve, sepse ato nuk përfaqësojnë më vetëm korrupsionin enorm në të cilin është zhytur kjo qeveri, por edhe rrezikun që i kanoset lirisë, demokracisë e kombit tonë nga mentaliteti zhvatës e shkatërrimtar i kësaj qeverie. Më së paku këto deklarata dhe veprime të Ridvan Muharremit, mikut dhe bashkëpunëtorit të kryeministrit Kurti, paraqesin ndërhyrje të drejtpërdrejt në drejtësi. Ndërkaq, përtej kësaj këto deklarata mbi të gjithë kërkesa specifike e Ridvan Muharremit për gjetjen e “katër dëshmitarëve katolikë”, ndikojnë në nxitjen e urrejtjes dhe përçarjes ndër-fetare dhe qytetare në vendin tonë”, shtoi ajo në konferencë për media.

Më tej, Çitaku tha sesituata të tilla nuk guxojnë të kalojnë pa u hetuar, sqaruar e dënuar.

Çitaku: Kush e ka autorizuar Ridvan Muharremin për prodhimin e dëshmitarëve të rrejshëm kundër krerëve të UÇK-së

“Pyetjet tona për qeverinë janë shumë të thjeshta, kush e ka autorizuar Ridvan Muharremin për tregti ilegale me armë, kush e ka autorizuar Ridvan Muharremin për prodhimin e dëshmitarëve të rrejshëm kundër krerëve të UÇK-së, kush i ka kërkuar Ridvan Muharremit zhdukjen e një politikani të PDK-së dhe cili është ai? Cili është roli i kryeministrit Kurti dhe i zyrtarëve tjerë qeveritarë në të gjithë këtë aferë të paskrupullt. Ndërkaq, kërkesat tona për Prokurinë e Shtetit janë të qarta. Niseni menjëherë dhe urgjentisht një hetim profesional mbi pretendimet e fundit të dëshmitarit në fjalë. Niseni menjëherë dhe urgjentisht hetimin e Ridvan Muharremit, përfaqësuesit të Qeverisë së Kosovës për furnizimin e rezervave shtetërore...PDK kërkon që të hetohet edhe kryeministri Albin Kurti, emri i të cilit është ndërlidhur ngushtë me deklaratat e fundit, për çështje anti-shtetërore dhe anti-kombëtare”, përfundoi nënkryetarja e PDK-së.

Ajo theksoi se sot nuk ka temë më të rëndësishme për gjithë sistemin e drejtësisë, se sa hetimi urgjent i gjithë kësaj situate.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat