​Në UP ose privat, vendimi i ri për profesorët vlerësohet pozitiv

Aktuale

​Në UP ose privat, vendimi i ri për profesorët vlerësohet pozitiv

Më: 8 gusht 2023 Në ora: 12:53
Universiteti i Prishtinës

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës u ka dhënë afat profesorëve deri më 20 shtator të këtij viti të ndajnë mendjen nëse duan të angazhohen në universitetin publik apo në kolegje private. Vendim i UP-së, që personeli akademik mos të mund të angazhohet në të dy institucionet përnjëherësh, atë publik dhe privat, cilësohet si vendim me pikënisje të mirë nga njohës të arsimit si dhe studentët.

Drejtori i Institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja, deklaroi se ky vendim do të ndikojë që të rritet cilësia e studimeve dhe se profesorët do të kenë përgjegjësi dhe përkushtim të plotë ndaj studentëve.

Qehaja: Reformë e vonshme që profesorët të punojnë vetëm në një universitet

"Kjo reformë është një politikë shumë e natyrshme që ka kuptim, pasi që në thelb logjika e kësaj është, që çdo mësimdhënës universitar përkushtimin dhe vëmendjen në institucionin ku është i deklaruar me orar të plotë, dhe jo tek institucionet konkurrente. Pra, politikat të tilla i kemi prezente gjithandej në institucione të tjera private në Kosovë dhe nuk duket shumë e pazakontë kjo iniciativë, por duket e vonshme si reformë brenda Universitetit të Prishtinës”, u shpreh Qehaja.

Qehaja tha ky vendim nuk do të dëmtojë as Universitetin e Prishtinës, por as kolegjet private, pasi edhe numri i të angazhuarve në publik dhe privat nuk është më i lartë si dikur.

Qehaja: Nuk dëmtohet askush nga ky vendim

“Nxitin për përgjegjësi, nxitin për përfshirje më aktivë të mësimdhënësve universitar me studentin dhe me shpresë se e njëjta mund të na kthehet edhe si cilësi e rritur e studimeve, brenda Universitetit të Prishtinës. Në asnjë moment, as Universiteti i Prishtinës, por as kolegjet private nuk mendoj se do të dëmtohen nga ky vendim, pasi që numri i profesorëve që kanë pasur angazhime të dyfishta është i vogël. Pra, ka qenë i madh para disa viteve, disa dekadave, mirëpo për shkak të procedurave të akreditimit është kufizuar goxha si shumë. Nuk vlerësoj që do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm ky vendim”, theksoi Qehaja.

Ndërkaq, ky vendim i Universitetit të Prishtinës konsiderohet i qëlluar nga organizatat studentore. Kryetari i Parlamentit Studentor, Çlirim Hoti i cili tha se ky vendim rrit dukshëm performancën e stafit akademik.

Ai shtoi se shumica e profesorëve nuk e kanë pasur fokusin maksimal në mbajtjen e ligjëratave brenda universitetit publik, por më shumë në kolegje private.

Hoti: Studentët përfitojnë, profesorët humbin

“Në këtë pikë, besoj që do të dëmtohet një pjesë e stafit akademik, për arsye që nuk do të kanë më të ardhura nga kolegjet private, mirëpo përfituesit kryesorë do të jenë studentët, për arsye se fokusi më i madh në këtë pikë do të jetë tek studentët dhe i gjithë angazhimi i profesorëve të rregullt do të jetë me studentë, të cilët do të mbajnë ligjërata, pra studentë të Universitetit të Prishtinës“, u shpreh Hoti.

Faton Tasholli, nga organizata tjetër studentore “Unioni Demokratik Studentor”, tha se frika e tyre e vetme si studentë është largimi i profesorëve me eksperiencë nga UP-ja në kolegje private për shkak të pagave.

Tasholli: Frikësohemi se mund të mbesim pa profesorë

“Ky vendim mund t’i ketë dy anë të medaljes. Ana e mirë e medaljes mund të jetë që ata profesorë që kanë qenë në kolegje private do ta kenë fokusin vetëm në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ dhe kjo mund të ndikojë në rritjen e cilësisë. Por, ana tjetër është se me Ligjin e ri të pagave, pagat e profesorëve janë ulur jashtëzakonisht shumë dhe kjo mund të ndikojë që profesorët me eksperiencë apo të përgatitur jashtëzakonisht mirë në aspektin profesional mund të largohen dhe të vazhdojnë në kolegjet private ku paguhen më mirë, po kjo është frika e vetme”, u shpreh Tasholli.

KosovaPress ka kontaktuar edhe Rektoriatin e Universitetit të Prishtinës në lidhje me numrin e profesorëve që kanë angazhime të dyfishta, si dhe për masat që mund të merren ndaj atyre që nuk e respektojnë vendimin, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.

Këshilli Drejtues i UP-së, me 28 korrik të këtij viti, ka marrë vendim që mos të lejohet angazhimi i personelit akademik në kolegje private të arsimit të lartë, përfshirë edhe deklarimin në Agjencinë e Kosovës për Akreditim, si staf akademik i institucionit privat të arsimit të lartë apo mbështetjen e çfarëdo forme të kolegjit privat të arsimit të lartë, në procesin e akreditimit të programeve dhe atë institucional.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat