Reagon Avdullah Hoti pas përfundimit të seancës për kanosjen ndaj tij - ja çfarë marrëveshje pranoi

Aktuale

Reagon Avdullah Hoti pas përfundimit të seancës për kanosjen ndaj tij - ja çfarë marrëveshje pranoi

Më: 8 gusht 2023 Në ora: 14:37
Avdullah Hoti.

Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me 2 mijë euro gjobë të akuzuarin Reshat Sadiku, mërgimtar me banim në Gjermani, i akuzuar për kanosjen e deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti.

Pas dënimit ka reaguar deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i cili tha se “partia që tani është në pushtet për vite me radhë e ka ushqyer këtë gjuhë përçarëse, fyese, denigruese dhe kërcënuese”.

Ai tha se e ka pranuar marrëveshjen që mërgimtari të kontriboj në njërën nga organizatat bamirëse në vend.

“Pranova marrëveshjen që ka bërë prokuroria dhe avokati i të pandehurit me kushtin që i njëjti të kontriboj në njërën nga organizatat bamirëse në vend”, u shpreh Hoti.

Tutje ai tha se i bën thirrje të gjithë atyre që bëhen pjesë e kësaj fushate linçuese të ndalojnë sepse do të përballen vetëm me ligjin.

Postimi i tij i plotë:

Gjuha e urrejtjes që po përdoret tash e shumë vite nëpër rrjete sociale dhe gjithandej është shqetësuese. Partia që tani është në pushtet për vite me radhë e ka ushqyer këtë gjuhë përçarëse, fyese, denigruese dhe kërcënuese.

Ndihem i obliguar për të informuar të gjithë opinionin publik për rastin që sot është mbajtur seanca gjyqësore lidhur me kanosjen që më është bërë muaj më parë. Sot, është mbajtur seanca lidhur me rastin në fjalë dhe gjykata vendosi për dënimin e të akuzuarit për këtë vepër. Pranova marrëveshjen që ka bërë prokuroria dhe avokati i të pandehurit me kushtin që i njëjti të kontriboj në njërën nga organizatat bamirëse në vend.

Kërcënimi i bërë nuk është personal por si zyrtar i shtetit për qëndrimet politike që kam si deputet dhe ish-Kryeministër. Prandaj, i bëj thirrje të gjithë atyre që bëhen pjesë e kësaj fushate linçuese të ndalojnë sepse do të përballen vetëm me ligjin, sepse qëndrimet për të vërtetën e bazuar në fakte dhe kauza për të mirën e vendit dhe popullit, nuk do të mund ta ndalin me kërcënime dhe me asgjë tjetër.

Republika e Kosovës është e përhershme dhe do ta mbrojmë nga çdo kërcënim për ta sulmuar atë.

Falënderoj policinë dhe gjykatën për punën e tyre dhe përkushtimin për të sjellë drejtësi.

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe popullin tonë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat