Ministri Maqedonci: Synim mbetet forcimi i FSK-së dhe anëtarësimi në NATO

Aktuale

Ministri Maqedonci: Synim mbetet forcimi i FSK-së dhe anëtarësimi në NATO

Më: 8 gusht 2023 Në ora: 15:41
Ejup Maqedonci dhe Armend Muja

Ministri i ri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci ka thënë se është i nderuar dhe i privilegjuar që është vënë në krye të këtij dikasteri qeveritar.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se që nga 18 marsi i vitit 1998 kur e ka veshur uniformën e UÇK-së dhe deri më 10 korrik 2023 kur është demobilizuar nga FSK-ja, është përpjekur me tërë qenien e tij fillimisht për lirinë e Kosovës dhe deri sot për ndërtimin e ushtrisë së saj.

“Jam i nderuar dhe i privilegjuar të vihem në krye të dikasterit qeveritar që i bën politikat e mbrojtjes dhe të zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, trashëgimtares së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Që nga 18 marsi i vitit 1998 kur e kam veshur uniformën e UÇK-së dhe deri më 10 korrik 2023 kur jam demobilizuar nga FSK-ja, jam përpjekur me tërë kapacitetet dhe qenien time fillimisht për lirinë e Kosovës dhe deri sot për ndërtimin e ushtrisë së saj. Në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës jam në shtëpinë time, andaj ishte aq i natyrshëm pranim dorëzimi i detyrës sot në mesditë nga ish-Ministri Armend Mehaj në prani të Komandantit të FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jasharit. E falënderoj ish-Ministrin Mehaj për bashkëpunimin veçanërisht në periudhën e fundit. Pas 25 vitesh me uniformë, nga sot ka nisur një kapitull i ri për mua si ushtarak, por që mbetet brenda të njëjtës shtëpi dhe me të njëjtat synime: forcimin e vazhdueshëm të ushtrisë së Kosovës dhe anëtarësimin e shtetit tonë në NATO, krah partnerëve tanë dhe veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Maqedonci.

Ministri ka deklaruar se “shumë punë na presin përpara bashkë me kryeministrin Albin Kurtin, me komandantin Bashkim Jasharin dhe me institucionet e Republikës së Kosovës”.

Teksa ka falënderuar ish- ministrin Mehaj për bashkëpunimin dhe gjithë ata që e uruan për detyrën e re.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat