Letra e politikanëve ndërkombëtarë për BE-në e SHBA-në, Kurti: E nënshkroi edhe Ukraina

Aktuale

Letra e politikanëve ndërkombëtarë për BE-në e SHBA-në, Kurti: E nënshkroi edhe Ukraina

Më: 9 gusht 2023 Në ora: 10:53
Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti e ka vlerëruar si zhvillim pozitiv për shtetin letrën që mbi 50 deputetë ia dërguan kryediplomatëve të BE-së, SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke kërkuar qasje më të ekuilibruar dhe më proporcionale të bashkësisë ndërkombëtare me Kosovën dhe Serbinë.

Kurti theksoi në mbledhjen e Qeverisë se në këtë letër është përfshirë edhe Ukraina.

“Këtë javë, të nderuar kolegë të kabinetit qeveritar e të dashur qytetarë, po ashtu pati edhe një zhvillim pozitiv për Republikën e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. Përmes një letre drejtuar Sekretarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken, Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Jamer Cleverly, mbi 50 deputetë, në mesin e tyre edhe senatorë e kongresistë amerikanë, 10 kryetarë të komisioneve parlamentare të politikave të jashtme të 16 shteteve, përfshirë edhe Ukrainën, kanë shprehur mbështetjen e tyre për Kosovën dhe kanë bërë thirrje për qasje më të ashpër ndaj Serbisë dhe rrezikut që veprimet e saj paraqesin për sigurinë e rajonin tonë”, tha Kurti.

Ai i falënderoi të gjithë nënshkruesit, dhe tha se “e mirëpresim secilin nënshkrim dhe mbështetje të radhës”.

“Ky lloj i mbështetjes na e forcon përkushtimin tonë për de-eskalim të plotë të situatës në katër komunat në veri të Kosovës, angazhimin për demokraci dhe bindjen për ligjshmëri e kushtetutshmëri”, tha Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat