Liqeni i Badovcit, atraksioni turistik afër Prishtinës

Aktuale

Liqeni i Badovcit, atraksioni turistik afër Prishtinës

Më: 9 gusht 2023 Në ora: 18:04
Liqeni i Badovcit

Liqeni i Badovcit është një rezervuar uji artificial, i cili ndodhet vetëm 5 kilometra larg Prishtinës, në luginën e Badovcit.

I rrethuar me pyje të larta, kjo bukuri natyrore shihet me sy derisa merrni rrugën nga Prishtina për në Gjilan.

Sefedin Januzi, përgjegjës i fabrikës së ujit, tregoi se ky liqe mbushet nga të reshurat e shiut dhe borës, e që sivjet, thotë ai, ka arritur nivelin maksimal.

“Gjendja e liqeni është shumë e kënaqshme, duke i ditur reshjet gjatë këtij viti, është në pikën maksimale në lartësinë mbidetare 649.85 metra mbi nivelin e detit ose 26.4 milionë metër kub ujë janë të akumuluar në liqenin e Badovcit. Ky liqe kryesisht furnizohet nga të reshurat e shiut dhe të borës, po fatmirësisht sivjet reshjet e shiut ishin të bollshme dhe që jemi shumë të kënaqur me nivelin, i cili është maksimal”, tha Januzi.

Liqeni i Badovcit është një nga pikat më të rëndësishme në qytetin e Prishtinës. Ndonëse ky liqe ndodhet vetëm 5 kilometra larg nga kryeqyteti, ai luan një rol shumë të rëndësishëm siç është uji i pijshëm.

I ndërtuar mes viteve 1963-1966, ky liqe u ndërtua me qëllimin e vetëm, furnizimin e kryeqytetit me ujë të pijshëm.

Mirëpo, që nga ajo kohë, nuk është vetëm pirja e ujit ajo për të cilën është shfrytëzuar, por edhe peshkimi dhe rekreacioni gjatë sezonit të verës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat