Kastrati: Mehaj si ushtarak s’ka lejuar të dirigjohet, s’besoj se dha dorëheqje për arsye personale

Aktuale

Kastrati: Mehaj si ushtarak s’ka lejuar të dirigjohet, s’besoj se dha dorëheqje për arsye personale

Më: 9 gusht 2023 Në ora: 18:34
Kadri Kastrati

Ish-Komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, ka folur lidhur me dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Kastrati ka thënë se Ministria e Mbrojtjes ka shënuar progres më të lartë gjatë udhëheqjes nga ai, duke theksuar se Mehaj nuk ka lejuar që të dirigjohet nga askush. 

Madje, sipas tij, kjo mund të ketë qenë një prej arsyeve pse ka dhënë dorëheqje.

“I vetmi dikaster që ka dhënë rezultate pozitive ka qenë Ministria e Mbrojtjes me Mehajn. Më e rëndësishmja e ka rritur bashkëpunimin me partnerët strategjisë, sidomos SHBA-në. Ka bërë blerje strategjike të armatimit. Kjo është ndoshta një prej arsyeve që Mehaj ka dhënë dorëheqje, sepse e ka karakterin e një ushtaraku, nuk lejon që të dirigjohet apo komandohet nga dikush tjetër”, ka deklaruar Kastrati.

I pyetur nëse ndërhyrjet në punën e tij kanë ndikuar që Mehaj ta dorëzojë dorëheqjen si ministër, Kastrati ka thënë se “mund të ndodhë, sepse më së paku besoj që ai ka dhënë dorëheqje për arsye personale”.

Ndryshe, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka treguar edhe arsyet e dorëheqjes së Mehajt.

Sipas tij, Mehaj ka kërkuar lirim nga kjo pozitë pasi bashkëshortja e tij është diagnostikuar me një sëmundje të rrallë, dhe si pasojë Mehaj ka kërkuar që të ndodhet pranë familjes në Oslo këtë periudhë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat