Tri vrasje brenda një javë, autorët ende në arrati

Aktuale

Tri vrasje brenda një javë, autorët ende në arrati

Më: 11 gusht 2023 Në ora: 19:48
Ilustrim

Përveç nga FBI që e kërkon për trafikim narkotikësh, Dukagjin Nikollaj i njohur si ‘Duka’, vazhdon të jetë në kërkim edhe nga Policia e Kosovës, ndonëse për vepra të tjera penale.

Por fotoja e tij me dy mbiemra të ndryshëm, është shpërndarë tek një javë pas konfliktit të armatosur që ndodhi më 4 gusht në Bon Vivant, ku mbeti i vrarë një person e shumë të tjerë u lënduan.

Policia ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për lokalizimin dhe arrestimin e tij, pasi i njëjti është i dyshuar për vrasje të rëndë në tentativë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, përdorimi i armës, dhe për armëmbajtje pa leje.

Në kërkim edhe më tutje vazhdon të jetë edhe Tush Frrokaj, i dyshuar për vrasjen e një personi, në një lokal të Klinës.

“Janë duke kryer në mënyrë intesive kërkimin e personit të dyshuar me ç’rast janë kryer dhjetëra bastisje, në komuna të ndryshme të Kosovës, aktualisht sa jemi duke biseduar është duke u kryer një bastisje shpresojm shumë që të rezultojë pozitivisht me arrestimin e këtij personi, dhe njëkohësisht me autorizimin e prokurorit të shtetit i bëjmë thirrje Tush Frrokut që të dorëzohet pranë organeve të drejtësisë, për shkak se kërkimi për të do të jetë intensiv”, ka theksuar Shkodran Nikci- Zëdhënës i Prokurorisë në Pejë.

Për dallim nga vrasja në Prishtinë e Klinë, që autorët janë identifikuar e janë në kërkim, vrasje më misterioze mbetet ajo e ditës së enjte në Runik të Skënderaj.

Prokuroria në Mitrovicë kanë thënë se nuk kanë arritur ende të bëjnë identifikimin e autorëve që ishin të maskuar dhe se janë duke vazhduar hetimet për zbardhjen e rastit që përfundoj me një të vdekur e 3 të lënduar.

Për një javë në Kosovë u vranë 3 persona me armë zjarri, e që të përfshirë janë persona me të kaluar kriminale.

Avokati Yll Zekaj, thotë se rastet e fundit, evidentohen dështimet e hallkave të sistemit të drejtësisë.

“Në të gjitha këto rastet të cilat tani më ndodhën kohës së fundit po e shohim që kryrësit e këtyre veprave penale, të gjithë prej tyre kanë pasur në të kaluarën vepra të njëjta apo të ngjashme, dmth kanë qenë recedivist dhe të cilët nuk janë trajtuar ashtu siç duhet nga sistemi i drejtësisë, nuk kanë marr dënimet e merituara”, ka deklaruar Yll Zekaj – Avokat.

Policia e Kosovës, pas rasteve të fundit të vrasjeve, ka shtuar masat e sigurisë, duke filluar me zbatimin e planit operativ të quajtur Goditja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat