​Qeveria u përgjigjet reagimeve pas vizitës së Kurtit në Maqedoninë e Veriut

Aktuale

​Qeveria u përgjigjet reagimeve pas vizitës së Kurtit në Maqedoninë e Veriut

Më: 14 gusht 2023 Në ora: 21:23
Qeveria e Kosovës

Derisa në Maqedoninë e Veriut janë shtuar debatet dhe kritikat në mesin e partive politike maqedonase dhe zyrtarëve më të lartë shtetërorë pas qëndrimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti të premten në Çair të Shkupit dhe në Tetovë, ka reaguar edhe Qeveria e Kosovës.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë se Kurti në këto dy komuna ka shkuar me ftesë të kryetarëve, duke përmendur edhe mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive në shtator të vitit 2021.

“Vizita e kryeministrit Kurti në Maqedoni të Veriut u bë me ftesë të kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu dhe kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami me rastin e ri-emërtimit të një rruge në Shkup me emrin e veprimtarit Adem Demaçi dhe inaugurimit të rrugës që lidhë fshatin Vicë me fshatin Sellcë. Në mes të muajit qershor, po ashtu me ftesë kryeministri Kurti kishte marrë pjesë në Forumin e Prespës, në Strugë, në kuadër të së cilit ai kishte zhvilluar takime edhe me zyrtarë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti. Ndërkaq që sa i përket nivelit të marrëdhënieve ndërshtetërore, ne kujtomë që dy qeveritë për të herë të parë kishin mbajtur një mbledhje të përbashkët në shtator të vitit 2021, si rezultat i marrëdhënieve të mira dhe interesave të përbashkëta. Komunikimi ndërmjet kabineteve qeveritare është i rregullt”, ka thënë ai.

Ai i është përgjigjur edhe presidentit të Serbisë, i cili ka deklaruar se “Kurti në Tetovë promovoi ‘Shqipërinë e Madhe’”.

“Siç duket Vuçiq është nisur nga vetja e tij, insistimi në ‘Serbi të Madhe’ edhe pas katër luftërave të humbura me emrin ‘Bota serbe’, dhe na akuzon neve kot”, vijoi ai.

Ndryshe, faktorët politikë maqedonas e shikojnë si nacionaliste paraqitjen e Kurti, gjatë fjalimit të të cilit, para mijëra përkrahësve në Tetovë, shfaqej publikisht një flamur i “Shqipërisë së Madhe”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat