Zëdhënësi i qeverisë demanton raportimet se Kurti ka 38 këshilltarë – jep detaje të hollësishme, përmend edhe Haradinajn

Aktuale

Zëdhënësi i qeverisë demanton raportimet se Kurti ka 38 këshilltarë – jep detaje të hollësishme, përmend edhe Haradinajn

Nga: A.M. Më: 15 gusht 2023 Në ora: 11:39
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Perparim Kryeziu, ka reaguar pas raportimeve se kryeministri Albin Kurti ka emëruar 38 këshilltarë.

Ai ka hedhur poshtë këto pretendime, duke sqaruar se numri total i tyre është 25.

Po ashtu, Kryeziu tha se Kurti nuk ka numër më të lartë të këshilltarëve se ç’kishte ish-kryeministri Haradinaj.

“Së pari, kryeministri Kurti nuk i ka të angazhuar 38 këshilltarë. Numri total i këshilltarëve, përfshirë ata të jashtëm, është 25. Prej tyre 8, duke qenë të jashtëm, nuk paguhen nga buxheti i Shtetit.

Së dyti, kryeministri Kurti nuk ka numër më të lartë të këshilltarëve se ç’kishte ish-kryeministri Haradinaj. Numri total i këshilltarëve të emëruar, përfshirë ata të jashtëm, të ish-kryeministrit Haradinaj sipas të dhënave të muajit janar 2020 ishte 33”, shkroi Kryeziu në Facebook, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë

Ky raportim i mbrëmshëm nuk është i saktë dhe atë në mënyrë të dyfishtë.

Së pari, kryeministri Kurti nuk i ka të angazhuar 38 këshilltarë. Numri total i këshilltarëve, përfshirë ata të jashtëm, është 25. Prej tyre 8, duke qenë të jashtëm, nuk paguhen nga buxheti i Shtetit.

Së dyti, kryeministri Kurti nuk ka numër më të lartë të këshilltarëve se ç’kishte ish-kryeministri Haradinaj. Numri total i këshilltarëve të emëruar, përfshirë ata të jashtëm, të ish-kryeministrit Haradinaj sipas të dhënave të muajit janar 2020 ishte 33.

Për informim, kabineti i Kryeministrit përbëhet nga këshilltarët politikë, nëpunësit e kabinetit dhe këshilltarët e jashtëm. Ata së bashku përbëjnë stafin e Kryeministrit. Numri 38 i raportuar mbrëmë përfaqëson numrin total të stafit të emëruar të Kryeministrit: 25 këshilltarë, 10 nëpunës, ku bëjnë pjesë zyrtaret ekzekutive dhe administrative, fotografi, zyrtarët e protokollit, asistentët—pra që nuk janë këshilltarë—, dhe të 3 të tjerë të emëruar të kryeministrit, ku përfshihen Kryesuesi i Komisionit Qeveritare për Personat e Zhdukur/Kryetari i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e Personave të Zhdukur, koordinatori i Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar Kosovë -Shqipëri, dhe koordinatorja për funksionalizimin e Fondit Sovran, të cilët kanë mandate të veçanta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat