Në sesion privat, përfundon edhe seanca e sotme ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Aktuale

Në sesion privat, përfundon edhe seanca e sotme ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Më: 15 gusht 2023 Në ora: 17:17
Foto ilustrim

Edhe seanca e së martës, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka përfunduar duke qenë gjatë tërë kohës në sesion privat.

Gjatës kësaj seance, dëshmitari i 16-të, me kodin 03879, ka vazhduar të përgjigjet në pyetjet e mbrojtjes së Selimit, konkretisht avokatit Geeoffrey Roberts.

Kurse, i njëjti dëshmitar pritet që të dëgjohet edhe në seancën e nesërmes dhe atë të së enjtes.

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, mbrojtja e Selimit fillon ta marrë në pyetje dëshmitarin e 16-të

(Përditësuar, ora 15:41)- Dëshmitarin e 16-të me radhë, me kodin 03879 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar ta marrë në pyetje mbrojtja e Rexhep Selimit.

Mbrojtja e Selimit, kësaj radhe filluan të parët marrjen në pyetje të këtij dëshmitari dhe nga mbrojtja e të akuzuarve të tjerë nuk ka pasur kundërshtime, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pyetjet ka filluar t’i parashtrojë avokati Geoffrey Roberts, i cili ka kërkuar të kalohet në sesion privat.

Paraprakisht, gjatë seancës së sotme ky dëshmitar ka vazhduar të përgjigjet në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS).

Duke qenë se pjesa më e madhe e seancës ka qenë në sesion privat, nuk është e ditur nëse mbrojtësi i viktimave ka pasur apo jo pyetje për dëshmitarin e 16-të.

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari i 16-të vazhdon dëshminë në seancë private

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, po vazhdon të martën me dëgjimin e dëshmitarit të 16-të me radhë në këtë çështje, me kodin 03879, sërish në seancë private.

Ky dëshmitar ka filluar dëshminë e tij në seancën e së hënës, ku pjesën më të madhe të kohës seanca është zhvilluar në sesion privat, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I njëjti po vazhdon të përgjigjet edhe gjatë ditës së sotme pyetjet e prokurorit Matt Halling, i cili me të filluar seanca ka kërkuar të kalohet në sesion privat.

Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill,  12 prill,  13 prill dhe më 17 prill.

Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.

Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.

Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq me 15 qershor ka përfunduar dëshmia e  dëshmitarit i nëntë.

Më 19 qershor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i dhjetë, në ditën ku ka filluar dëshminë dëshmitari i 11-të i cili e ka përfunduar dëshminë e tij më 20 qershor. E më 10 korrik ka filluar dëshminë dëshmitari i 12-të, i cili ka përfunduar dëshminë më 11 korrik, në seancën ku ka filluar dëshminë Rrustem Mustafa, ish-komandat i zonës operative të Llapit.

Mustafa ka vazhduar dhënien e dëshminë së tij në seancën e 12, 13, 14, 17 dhe 18 korrikut.

Ndërsa dëshmitari i 14-të me radhë, Francis Ladwidge, oficeri britanez që shërbeu në Kosovë filloi dëshminë po më 18 korrik dhe e mbaroi më 19 korrik, ku nisi dëshminë dëshmitari i 15-të, i cili e përfundoi më 20 korrik.

Kurse, më 14 gusht filloi dhënien e dëshmisë dëshmitari i 16-të.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat