Gjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve: Dëshmitarja e pranon se Serbia shpërndante armë për civilët serbë

Aktuale

Gjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve: Dëshmitarja e pranon se Serbia shpërndante armë për civilët serbë

Më: 17 gusht 2023 Në ora: 07:07 Përditësuar në ora: 12:30 më 17.08.2023
Thaçi dhe të tjerët

Dëshmitarja serbe kundër Thaçit dhe të tjerëve flet për periudhën e korrikut 1998 në komunën e Rahovecit

Dëshmitarja e shtatëmbëdhjetë kundër Thaçit dhe të tjerëve ka folur për periudhën e korrikut të vitit 1998 në komunën e Rahovecit. Ajo pretendon se UÇK kishte sulmuar familjen e saj dhe banorët përreth për t’i larguar nga shtëpitë e tyre e mbajtur pastaj të ndaluar, sipas saj, burrat veç e gratë veç. Dragica Bozhaniq ka thënë prej asaj periudhe nuk di asgjë për djalin dhe burrin e saj.

Në fillim të seancës, prokurori Cezary Michalczuk e ka pyetur dëshmitaren me kodin 00072 rreth deklaratave të saj të mëparshme.

Ai ka përmendur një intervistë të 16 dhjetorit të vitit 2016, 10 dhjetor 2005 dhe 17 korrik 2013.

Derisa ka bërë të ditur se në seancën përgatitore të mbajtur me këtë dëshmitare në korrik të këtij viti, prokuroi ka thënë se dëshmitarja ka pasur mundësi të bëjë korrigjime në deklaratat e saj.

Pas kësaj, prokuroi e ka pyetur atë nëse qëndron prapa atyre deklaratave dhe nëse do të përgjigjej njësoj sot para trupit gjykues, për çka dëshmitarja ka pohuar.

Prokurori Cezary Michalczuk ka kërkuar pranimin e deklaratave të mëparshme në bazë të rregullës 154.

Ai ka lexuar një përmbledhje të dëshmisë së kësaj dëshmitare, të cilën ka thënë se ua ka dërguar palëve më 14 gusht 2023.

Michalczuk: Dëshmitarja ka thënë se ajo dhe familja e saj u sulmuan nga UÇK me 18 korrik 1998

“Në korrik të vitit 1998 Dragica Bozhaniq jetonte me familje në fshatin e saj në komunën e Rahovecit. Gjatë natës duke u gdhirë 18 korriku i vitit 1998, dëshmitarja dhe anëtarët e familjes, anëtarët e tjerë të komunitetit serb në fshatin e saj u sulmuan nga UÇK në banesat e tyre. Në mëngjesin e 18 korrikut 1998 serbët e fshatit të saj u dorëzuan, ju dorëzuan UÇK-së dhe i çuan me veturë në një fshat afër, ku mbërritën atje UÇK i ndau burrat nga gratë, te burrat ishte djali dhe bashkëshorti i dëshmitarit që çuan në bodrumin e një shtëpie ndërsa gratë ishin në të njëjtën banesë por në aktin e sipërm. Dëshmitarja dëgjonte që burrat serbë i rrihnin, dëshmitaren e morën në pyetje UÇK-së për kushëririn dhe djalin që kishin shërbyer në ushtrinë serbe”, ka lexuar ai.

Ajo ka thënë se bashkëshorti i saj ka qenë mësues dhe drejtor shkolle.

Sipas saj, ai nuk ka qenë asnjëherë në ushtri për shkak të një sëmundje me veshkë.

Dëshmitarja ka thënë se bashkëshorti i saj kishte raporte të mira me shqiptarët fshatit.

Michalczuk: Dëshmitarja ka thënë se UÇK i ka mbajtur civilët në Semetishtë

“Në mëngjesin e 19 korrikut të vitit 1998 ushtarët e UCK-së e çuan dëshmitaren të bashkëshorti që i dhanë një letër me shkrim dore që të ua jepte banorëve serbë të fshatit Zoqishtë, ku thuhej se duhet t’i dorëzoheshin UÇK-së, me atë rast kur e pa bashkëshortin dëshmitarja e pa që ai kishte mavijosje në fytyrë. Të njëjtën ditë, të gjitha gratë serbe nga fshati i dëshmitares u çuan me veturë nga ushtarët e UÇK-së për Zoqishtë, ku dëshmitarja u dha letrën që kishte dhënë bashkëshorti. Burrat serbë i mbajtën të ndaluar ku ishin, gratë i çuan në një manastir ku qëndruan dy ditë derisa filluan luftimet. Më pas UÇK i zhvendosu të gjithë civilët në Semetishtë, dhe i mbajti të ndaluar për një natë në shkollën e fshatit. Disa prej serbëve u morën në pyetje nga UÇK që ishte atje. Të nesërmen dëshmitarja dhe të ndaluarit tjerë u liruan nga Kryqi i Kuq. Dëshmitarja nuk e pa më kurr bashkëshortin dhe djalin”, ka lexuar prokuroi.

Pas kësaj, një person është përmendur në seancë private për të cilin, dëshmitarja ka thënë se është shoqëruar me familjen e saj.

Sipas saj, raporti me atë person ishte shoqëror dhe i njëjti u kishte vendosur edhe dritaret në shtëpinë e tyre të re.

Me të njëjtin person, dëshmitarja ka thënë se ishin marrë vesh që të ndihmonin njëri tjetrin në rast se do të ndodhte diçka në fshat.

Bozhaniq: Personi me të cilin kishim marrëveshje të na mbronte nuk e mbajti fjalën

“Ata na morën ne, na sulmuan nga data 17 duke u gdhirë 18 korriku, me 18 korrik na morën nga oborri dhe kur e pash këtë burrin u befasova sepse kishte pasur një marrëveshje përpara që ndryshe rënë dakord. Na morën, hynë në shtëpitë tona me forcë, kërkuan disa gjëra, nuk e dimë se çfarë, na thanë uluni në tokë, ne u ulëm, djalin ma plagosën, se hodhën granatë dore në shtëpi dhe ai u rrëzua, i ranë tullat në fytyrë, i plagosen dhe sytë, kur e pash unë fillova të qaj dhe nuk e dija çfarë të bëja”, ka thënë ajo.

Dëshmitarja ka thënë se bashkëshorti i saj shoqërohej me shumë me shqiptarët sesa me serbët.

Derisa ka folur për periudhën e korrikut të vitit 1998, dëshmitarja ka përmendur ndalimin që sipas saj u ishte bërë atyre.

Bozhaniq: Personat që na kanë mbajtur na kanë thënë se nuk e kanë qëllim të na vrasin

“Askush nuk na ka thënë asgjë neve nga fshati jonë apo personave nga fshati tjetër, thjeshtë kanë thënë nuk ju kemi marrë me qëllim të ju vrasim sepse po të kishim dashur ta bënim këtë do ta bënim në oborrin tuaj. Megjithatë njerëzit vazhduan të mbaheshin të ndaluar në ato shtëpi”, ka thënë ajo.

Gjatë kësaj dëshmie, dëshmitarja ka thënë se ajo dhe gratë e tjera që sipas saj ishin të ndaluara, ishin liruar nga Kryqi i Kuq.

Bozhaniq: Jemi mbajtur të ndaluar në dy raste

“Kjo ka ndodhur kur na kanë zënë herën e dytë sepse kanë qenë dy raste, hera ep arë kur e kam dhënë letrën e burrit tim, herën e parë që na kanë marrë, pastaj na kanë dërguar në manastir në Zeqishtë dy netë, pastaj natën e dytë në mëngjes, pas natës është sulmuar manastiri dhe një predhë ra fjetoren e manastirit, të gjithë dolën në oborr, një murg na tha duhet të dorëzoheshim, nxorën një çarçaf të bardhë si dhe një që po dorëzoheshim, përsëri nga kanë grumbulluar dhe nga manastiri na kanë çuar në qendër të fshatit, na kanë vendosur ne autobusë dhe nga aty në një fshat tjetër, në Semetishtë pra, duke kaluar përmes së njëjtës rrugë, qëndruam një ditë e një natë të tërë atje, u morëm në pyetje një nga një, ata ishin vazhdimisht rreth nesh, na ruanin gjithë natën, nuk guxonim të lëviznim dhe disa prej meshkujve u mbajtën gjithë natën, murgun e morën e mbajtën gjithë natën dhe në mëngjes fshihte duart që të mos i shihnim mavijosjet”, ka thënë ajo.

Gjatë kësaj dëshmie ajo ka përmendur edhe disa gra të tjera për njërën prej të cilave, Sllavica Banqiq, pretendon se i kishte parë burrat që mbaheshin të ndaluar në një bodrum.

Bozhaniq: Slavica Banqiq i kishte parë burrat që mbaheshin të ndaluar

“Po kjo ka qenë në fshatin Peqan, ajo arriti të shkonte atje, nuk kam kushtuar shumë vëmendje se merrja shumë ilaqe në atë kohë, ajo shkoj në bodrum dhe ka parë meshkujt, tha që ka pasur kashtë aty në tokë, të gjithë ishin të shtrirë në tokë, nuk kishin të drejtë të ngriheshin, ajo shkoj deri te dera dhe i pa që ishin aty. Ka parë burrin e vet aty, djalin tim, aty ishin tetë meshkuj nga fshati jonë”, ka thënë ajo.

Pas pyetjeve të prokurorisë, dëshmitarja është intervistuar edhe nga avokati i viktimave, Simon Laës.

Atij ajo i ka konfirmuar se nuk jeton më në Kosovë derisa ka theksuar se nuk do të kthehej në asnjë mënyrë, sipas saj, për shkak të asaj që ka kaluar .

Seanca po vazhdon me pyetjet e mbrojtjes së ish-presidentit Thaçi, avokatit Gregory Kehoe.

Pas pyetjeve të avokatit të Thaçit, dëshmitarja e pranon se edhe civilët serbë ishin të armatosur nga Serbia

Sot ka filluar të dëgjohet dëshmia e dëshmitares të 17-të me radhë, Dragica Bozhaniq, në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Avokati i Thaçit, Gregoru Keohe, po vazhdon me pyetje për dëshmitaren e 17-të në Gjykatën Speciale.

Dëshmitarja serbe e ka pranuar se para sulmit nga pjesëtarët e UÇK-së, serbët civilë të asaj ane, ishin armatosur nga Serbia.

Keohe e ka përballur edhe me disa deklarata në të kaluarën.

Keohe: Ju bë pyetje nëse ndonjë prej burrave kishte qenë pjesë e Ushtrisë serbe dhe ju thatë jo. Mendoj se në deklaratën tuaj keni thënë që shumë prej burrave në fshatin tuaj ishin të armatosur me armë?

Dëshmitarja: Po.

Keohe: Kur filloi konflikti në Kosovë a është e saktë të thuhet që autoritetet serbe iu dhanë armë civilëve në fshatra të ndryshme?

Dëshmitarja: Kjo ka ndodhur përpara. Në cilat vite nuk e mbaj në mend. Ka ndodhur më herët.

Keohe: Është fakt që burrat e fshatit tuaj kishin marrë armë nga Serbia?

Dëshmitarja: Po

Keohe: Autoritetet serbe iu jepnin armë civilëve edhe në demonstrata?

Dëshmitarja: Jo në protesta. Armët janë shpërndarë për burrat.

Keohe: Le ta shohim dokumentin. Keni thënë gjatë demostratave në Kosovë i janë dhënë armë. Kushdo që ka marrë armë ka marrë armë në demonstrata. A ju kujtohet?

Dëshmitarja: Po.

Keohe: Kur flisni për këtë doni të thoni që gjatë demonstratve në Kosovë autoritet serbe iu kanë dhënë armë serbëve?

Dëshmitarja: Po

Keohe: A është e saktë se autoritetet serbe u kanë dhënë civilëve armë në gjithë Kosovën?

DËshmitarja: Nuk e di për gjithë Kosovën.

Keohe: Ditën kur ndodhi incidenti, shumë prej serbëve erdhën tek shtëpia e juaj. Apo jo?

Dëshmitarja: Po. Kur filluan të shtënat e mora vesh që ata kishin armë.

Keohe: Kur filluan të shtënat ju pra e morët vesh që burrat serbë që janë në shtëpi kishin armë me vete?

Dëshmitarja: Po

Keohe: Kur mbërritën në shtëpinë tuaj, kishin municion dhe jelek antiplumb?

Dëshmitarja: Kishte një jelek të veshur.

Keohe: A kishte municion?

Dëshmitarja: Jo, jo. Ishte jelek ushtarak, por nuk kishte asgjë aty.

Keohe: Ju keni thënë që ajo kishte një armë në duart e saj. Nuk e kishte në dorë, por me vete. Kur e keni thënë këtu, për kë e kishi fjalën?

Dëshmitarja: Pushka ime, është gabim. Unë nuk kisha fare armë. Ajo kishte një armë gjahu dhe e kishte lënë te karroca.

Keohe: Gruaja për të cilën po flisnim, a kishte armë gjahu dhe municion?

Dëshmitarja: Nuk e kam parë këtë.

Keohe: A pajtoheni me mua se para incidentit, serbët kishin shpërndarë armë për civilët serbë?

Ndryshe, Krasniqi dhe Thaçi janë duke e përcjellë seancën përmes video-lidhjes, ndërsa Selimi dhe Veseli janë të pranishëm në sallë.

​Dëshmitarja në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve po dëshmon pa masa mbrojtëse

Në Gjykatën Speciale në Hagë po vazhdon intervistimi i dëshmitarit të shtatëmbëdhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ajo është Dragica Bozhaniq dhe po dëshmon pa masa mbrojtëse në seancë publike.

Trupi gjykues ka bërë të ditur se synojnë që dëshmia e saj të përfundojë sot.

Këtë dëshmi, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi po e përcjellin përmes video lidhjes nga qendra e paraburgimit, ndërsa Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi janë të pranishëm në sallën e gjyqit.

Në këtë proces gjyqësor deri tani janë dëgjuar gjashtëmbëdhjetë dëshmitarë të ZPS-së, vetëm dy prej tyre pa masa mbrojtëse dhe në seanca të hapura për publikun.

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ndërsa ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Gjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, fillon dëgjimi i dëshmitares së 17-të

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të enjten ka filluar të dëgjohet dëshmia e dëshmitares të 17-të me radhë në këtë çështje, me kodin 00772, Dragica Bozhaniq.

E njëjta ka filluar të përgjigjet në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Krasniqi dhe Thaçi janë duke e përcjellë seancën përmes video-lidhjes, ndërsa Selimi dhe Veseli janë të pranishëm në sallë.

Paraprakisht, është bërë një diskutim lidhur me mënyrën e paraqitjes së dokumenteve shtesë në listën e dokumenteve të palës thirrëse, por që gjykatësi Charles Smith tha se do të lejojmë të kalohet pak kohë dhe të mendohet për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Ndërkaq, nga ana e ZPS-së është kërkuar të kalohet në sesion privat për një kohë në mënyrë që të diskutohet edhe një çështje tjetër.

Tani, pas dhënies së betimit, seanca po vazhdon në sesion publik me dëgjimin e dëshmitares Bozhaniq.

Dëshmia e saj pritet të zgjas gjatë tërë ditës së sotme.

Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill,  12 prill,  13 prill dhe më 17 prill.

Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.

Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq me 15 qershor ka përfunduar dëshmia e  dëshmitarit i nëntë.

Më 19 qershor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i dhjetë, në ditën ku ka filluar dëshminë dëshmitari i 11-të i cili e ka përfunduar dëshminë e tij më 20 qershor. E më 10 korrik ka filluar dëshminë dëshmitari i 12-të, i cili ka përfunduar dëshminë më 11 korrik, në seancën ku ka filluar dëshminë Rrustem Mustafa, ish-komandat i zonës operative të Llapit.

Mustafa ka vazhduar dhënien e dëshminë së tij në seancën e 12, 13, 14, 17 dhe 18 korrikut.

Ndërsa dëshmitari i 14-të me radhë, Francis Ladwidge, oficeri britanez që shërbeu në Kosovë filloi dëshminë po më 18 korrik dhe e mbaroi më 19 korrik, ku nisi dëshminë dëshmitari i 15-të, i cili e përfundoi më 20 korrik.

Kurse, më 14 gusht filloi dhënien e dëshmisë dëshmitari i 16-të, e që e përfundoi më 16 gusht.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi

----

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë vazhdon gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve. Sot pritet të paraqitet dëshmitari i ri i prokurorisë në rastin kundër Thaçit dhe të tjerëve. Sot është dita e fundit e gjykimit për këtë javë.

Ndryshe edhe dje në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka përfunduar seanca duke qenë gjatë tërë kohës në sesion të mbyllur për mediat dhe publikun.

Në këtë seancë, ka vazhduar dëgjimi i dëshmitarit të 16-të, me kodin 03879.

Gjatë kësaj seance, dëshmitari u është përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Thaçit, në këtë rast avokatit Gregory Kehoe.

Javën e ardhshme në rastin gjyqësor “Thaçit dhe të tjerët” nuk ka seanca, ndërsa në rastin “Shala’, do të mbahen pesë seanca.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat