ATK publikon dataseti-n me të dhëna të hapura për numrin e punëtorëve sipas ID-ve

Aktuale

ATK publikon dataseti-n me të dhëna të hapura për numrin e punëtorëve sipas ID-ve

Më: 18 gusht 2023 Në ora: 14:27
ATK

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) njofton se qytetarët dhe organizata të ndryshme tani kanë mundësi t’i shfrytëzojnë të dhënat e hapura të ATK-së në lidhje me numrin e punëtorëve sipas ID-ve dhe numrin e punëtorëve sipas vendeve të punës.

Sipas ATK-së, këto të dhëna vijnë me kategorizime të ndryshme, duke ju mundësuar të kryhen analiza dhe studime sipas nevojave të qytetarëve.

“Kjo hapësirë e re e të dhënave ju ofron mundësinë të bëni analiza në fushën e punësimit dhe të ndiqni zhvillimet e tregut të punës në Kosovë. Për shembull, ju mund të identifikoni ndryshimet sezonale, të bëni krahasime midis sektorëve të ndryshëm, dhe të vlerësoni rëndësinë e punësimit sipas ID-ve të punëtorëve. Ne besojmë se ky burim i të dhënave të hapura do t'ju ndihmojë të merrni vendime më të informuara dhe të bëni analiza të thella në fushën e ekonomisë dhe punësimit. Andaj, ATK fton të gjitha palët e interesuara që të eksplorojnë dhe t’i shfrytëzojnë këto të dhëna në përputhje me interesat dhe nevojat që kanë”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, njofton ATK është duke punuar në vazhdimësi për të bërë ndryshimet e nevojshme në mënyrën e paraqitjes së të dhënave në përshtatje me kërkesat e përdoruesve, si dhe për të ofruar sqarimet e nevojshme të variablave të publikuara, ashtu që të ketë qartësi gjatë analizimit të tyre. Të gjitha këto informata do të jenë të qasshme përmes ueb-faqes zyrtare të ATK-së.

“Hapja e të dhënave është çelës për çdo institucion e organizatë për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies. ATK çdoherë ka qenë e fokusuar përmes planeve strategjike në rritjen e mekanizmave, të cilën qojnë përpara integritetin e institucionit. Iniciativa për hapjen e të dhënave kontribuon direkt në zhvillimin demokratik të një institucioni, si dhe zhvillimin e një segmenti ekonomik në nivel inovativ”, thuhet në njoftim. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat