Opozita kërkoi shkarkimin e Hajdarit, Kurti e mbrojti – çka ndodhi dje pas arrestimeve për rezervat shtetërore

Aktuale

Opozita kërkoi shkarkimin e Hajdarit, Kurti e mbrojti – çka ndodhi dje pas arrestimeve për rezervat shtetërore

Më: 19 gusht 2023 Në ora: 08:00
Albin Kurti- Rozeta Hajdari

Me urdhër të Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës mëngjesin e së premtes vu në pranga tre persona e kreu bastisje në lokacione të ndryshme në Prishtinë lidhur me aferën e rezervave shtetërore.

Dy nga të arrestuarit ishin zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë – Ministri që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari – drejtori i departamentit të rezervave shtetërore, Hafiz Gara dhe drejtori i departamentit për integrime europiane, Irfan Lipovica. I treti i arrestuar ishte pronari i restorantit “Bukë e zemër” në Prishtinë, Ridvan Muharremi.

Prokuroria Speciale dje tha se ata dyshohen për veprat ‘’Keqpërdorim i detyrës zyrtare’’, si dhe ‘’Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.

Ata dje u dërguan në mbajtje për 48 orë dhe brenda afateve ligjore kohore do të bëhet kërkesë për caktimin e paraburgimit.

Kjo ngjarje e mëngjesit çoi në reagime të shumta nga zyrtarë të ndryshëm politikë e deri te krerët e shtetit.

Presidentja Vjosa Osmani që po zhvillonte vizitën e saj të rëndomtë nëpër komuna u pyet për këtë rast. Përgjigjja e saj ishte se e ka të pamundur të komentojë epilogun e këtij rasti që është në proces.

“Komenti im është që për çdo proces të institucioneve të drejtësisë dhe ligjzbatuese, ne duhet ta presim epilogun e rasteve dhe deri në këtë moment bazuar në informatat që kemi është e pamundur të paragjykohet epilogu i këtij rasti. Pra, institucionet e kanë punën e tyre”, tha ajo nga Klina.

Presion për të komentuar këtë situatë iu bë edhe kryeministrit Albin Kurti pas një ngjarje ku kishte marrë pjesë rreth subvencioneve në energji.

Kurti refuzoi të përgjigjet për këtë temë, derisa akuzoi se nuk po iu intereson për masat përkrahëse të Qeverisë për efiçiencën e energjisë. Ai tha se për këtë do të deklarohet gjatë ditës.

Ndërkaq, të tri partitë opozitare kërkuan shkarkim të menjëhershëm dhe hetim të detajuar për ministren Rozeta Hajdari. PDK dhe LDK thirrën konferencë për media.

PDK tha se kjo Qeveri ka humbur çdo legjitimitet dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Ndërkaq, LDK, përveç shkarkimit të Hajdarit kërkuan edhe arrestimin e saj, duke thënë se dorëheqja nuk mjafton.

AAK nuk ftoi konferencë, por kreu i saj, Ramush Haradinaj, ishte i zëshëm në kërkesën e tij për të rrëzuar Qeverinë Kurti.

“Çka duhet të ndodhë tjetër që ju që keni votë, që keni za, që keni mendje e zemër dhe që e doni Kosovën, të bindeni se shkarkimi i këtij njeriu, sot është detyrë kombëtare!”, tha ai.

Para se të flasë Kurti siç premtoi, një konferencë për media e thirri vetë ministrja Rozeta Hajdari.

Ajo ka pranuar se në porosinë për rezerva shtetërore që ishte bërë gjatë vitit 2022, 3 % nga totali i porosisë ka pasur vonesa.

Për këtë, ministrja Hajdari ka thënë se në qershor të vitit 2023, kanë angazhuar avokaturën shtetërore për inicim të procedurës gjyqësore.

Sidoqoftë, Hajdari tha se nuk e ka ndërmend të dorëhiqet pas arrestimeve të fundit në këtë ministri, derisa shtoi se nuk ka asnjë dyshim tek dy zyrtarët e MINT.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë tha se pret që “organet e hetimit të kenë në vëmendje që krahas punës hetimore, të mos cenojnë në asnjë rrethanë sigurinë shtetërore, për sa kohë që bëhet fjalë për rezervën shtetërore të Republikës sonë, e klasifikuar sipas Ligjit për Rezervën Shtetërore dhe Ligjit për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar”.

MINT gjithashtu pretendoi se për këtë çështje po synohet të keqinformohet.

Në mbrëmje përmes një videoje në profilin e tij zyrtar në Facebook reagoi kryeministri me bindje se nuk ka korrupsion e keqpërdorim në Ministrinë e Hajdarit.

Edhe ai tha se 97 për qind e vlerës së blerë vitin e kaluar të rezervave shtetërore kanë arritur në Kosovë.

“Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi. Unë kam besim të plotë në ministren [e Industrisë] Rozeta Hajdari dhe në punën e saj. Pas luftës në Ukrainë, kur kishte krizë globale, ministria që ajo drejton, i ka blerë rezervat dhe i ka mbushur depot në një kohë kur të gjithë kufijtë ishin mbyllur e pothuajse të gjitha shtetet kishin ndaluar eksportin”, tha Kurti.

Kurti po ashtu tha se qeverisja e tij “përbën ndryshim rrënjësor karshi qeverisjes 20-vjeçare të Kosovës”.

“Humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e korruptuar politike, te gjykatës dhe prokurorë të saj, te mediat e keqpërdoruara pёr mbёshtetje tё krimit”, tha Kurti.

“Përpjekjet e tyre për ta ndryshuar situatën janë në shërbim të planit për ta kthyer ish sistemin e kalbur e tё korruptuar”, shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat