Pantina: Kryetarët në veri të japin dorëheqje, Kurti e ka të vështirë ta kthejë besimin e ndërkombëtarëve

Aktuale

Pantina: Kryetarët në veri të japin dorëheqje, Kurti e ka të vështirë ta kthejë besimin e ndërkombëtarëve

Më: 19 gusht 2023 Në ora: 08:32
Shqipe Pantina

Mënyra me e mirë e më e lehtë për të zgjidhur problemin e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës, është dorëheqja e kryetarëve si akt moral e legjitim, kështu ka vlerësuar ish-deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Pantina.

Sipas saj, çdo formë tjetër për të shkuar në zgjedhje është vetëm zvarritje e procesit. Ajo për Eo ka thënë se kryeministri Albin Kurti, me veprimet e fundit ka humbur besimin nga ndërkombëtarët.

Sipas saj, për këtë arsye BE-ja nuk është duke larguar masat që i ka vendosur Kosovës, duke shtuar se procesi zgjedhor në katër komunat veriore është krejtësisht problem politik.

“Çdo çështje që ka të bëjë me procesin zgjedhor rregullohet me Kushtetutë pastaj me ligj, ndërsa mënyre e organizimit të zgjedhjeve dhe çështjet teknike i rregullon Komisioni Qendror Zgjedhor përmes rregullave që ata nxjerrin. Pra se si duhet të organizohen zgjedhjet atje, kur duhet të shpallen e kështu me radhë, udhëzimet administrative është përgjegjëse për ta nxjerr KQZ-ja”.

“Tani sa i përket zgjedhjeve në katër komunat e pjesës veriore të vendit ky është krejtësisht problem politik, mënyra më e lehtë, më e shpejt më e mirë për ta zgjidhur këtë problem është natyrisht dorëheqja e katër kryetarëve të cilët edhe ashtu nuk janë duke ushtruar funksionin e tyre si kryetar, sepse nuk po ofrojnë shërbime për qytetarët për të cilët ata janë zgjedhur. Ngase këtë qytetar në masë të madhe po refuzojnë t’i njohin këtë kryetar si kryetar të tyre legjitim”, tha ajo.

Anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se Qeveri e Kosovës e as ajo e Serbisë nuk kanë interes që që cështja e veriut të zgjidhet.

“Prandaj dorëheqja do të ishte edhe akt legjitim por edhe moral pasi që ata nuk po e kryejnë funksioni e tyre. Çdo përpjekje tjetër mendoj se e zvarritë procesin dhe është duke u përdorur si mundësi për blerjen e kohës, pasi që si duket nuk ka interes as na qeveria jonë edhe më pak nga qeveria e Serbisë, gjegjësisht presidentit serb, që ky problem të zgjidhte. Sepse të dyve po ju konvenon si mundësi për ta ruajtur pushtetin e tyre”, tha ajo.

Pantina ka thënë se kryeministri Kurti asnjëherë nuk i’u ka dal në fjalë ndërkombëtareve pasi veprimet e tij në teren kanë qenë të tjera nga ajo që ai ka thënë dhe se është e vështirë që të kthehet besimi i humbur.

Sipas saj, humbja e besimit nga ndërkombëtaret si shkak i veprimeve të kryeministrit Kurtit janë edhe arsyeja se pse BE-ja nuk është duke i larguar masat që i ka vendosur Kosovës.

“Mendoj se kryeministri Kurti disa herë nuk ju ka dal në fjalë ndërmjetësve ndërkombëtar, përkundër faktin se ka marr zotime nga ata. Veprimet në teren kanë qenë tjera, prandaj ai e ka humbur besimin e këtyre miqve dhe si rrjedhojë edhe Kosova është dënuar për këtë fakt duke ju vendosur për herë të parë në historinë e krijimit të shtetit të Kosovës sanksione nga ata që ndihmuan themelimin e shtetit të Kosovës. Tani është shumë e vështirë për Qeverinë tonë dhe kryeministrin Kurti ta kthej besimin e miqve ndërkombëtar, duhet të tregoj veprime konkrete se ai e ka seriozisht atë çka thotë. Pra kryeministri Kurti nuk mund të flasë dhe të sillet njëjtë me militantë e vetë dhe këtu në Kosovë ku disa herë ai ka ndërruar qëndrimet, ka rrëshqiturit plotësisht nga parimet e veta. Këtë nuk u shet dot diplomatëve ndërkombëtar, prandaj edhe e ka të vështirë ta ktheje besimin e tyre”.

“Mendoj se kjo është arsyeja kryesore dhe për fat të keq pasojat për këtë i bartin qytetarët, bizneset e Kosovës, komunat sepse shumë projekt ose nuk kanë filluar për shkak të masave ose janë ndërprerë për shkak të sanksioneve që BE dhe ShBA-ja i kanë vënë Kosovës”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat