​Musliu: Qeverisja e Kurtit është skandaloze, qytetarët ta shporrin nga pushteti

Aktuale

​Musliu: Qeverisja e Kurtit është skandaloze, qytetarët ta shporrin nga pushteti

Më: 19 gusht 2023 Në ora: 08:37
Ganimete Musliu

Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se kërkesa për zgjedhje të jashtëzakonshme buron nga qytetarët të cilët e shohin çdo ditë se Lëvizja Vetëvendosje po e skandalizon shtetin. Deputetja më e zëshme e kësaj partie, Ganimete Musliu, thotë se veprimet e kryeministrit Albin Kurti në veri janë skandal, ndërsa shton se ai po punon për të shtuar sanskionet dhe jo për t’i larguar ato. Ajo flet edhe për përpjekjet e opozitës për të kundërshtuar Qeverinë e Kosovës dhe mundësinë e ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar për zyrtaren e LVV-së, Dejona Mihalin.

Deputetja Musliu, në një intervistë për KosovaPress, deklaron se Qeveria e drejtuar nga Kurti ka humbur kredibilitetin për të qeverisur me vendin pas skandaleve të shumta.

"Duke pas parasysh që nga java në javë, po kalojmë nga skandali në skandal, dhe duke e parë disponimin qytetarë, se në fakt nuk po kërkon Partia Demokratike zgjedhje, zgjedhje po kërkojnë qytetarët e Republikës së Kosovës, e mbi të gjitha po kërkojnë jo vetëm zgjedhje por edhe zgjidhje. Po kërkojnë zgjedhje të reja për një qeveri të re, ndërsa po kërkojnë zgjidhje për shumë probleme me të cilat ata po ballafaqohen çdo ditë. Kjo Qeveri ka humbur kredibilitetin e saj, për të qeverisur me vendin, është mëkat shumë i madh një qeveri e cila ka ardh në pushtet me një fuqi kaq të madhe politike ta skandalizojë shtetin deri në këtë formë dhe deri në këto rrethana. Thashë edhe një herë, që vet fakti java nuk po e pret përfundimin e javës, skandali i ri në këtë qeverisje, dhe ti në çdo ditë në çdo moment pret se çka po plas diçka tjetër. Kjo Qeveri nuk ka kredibilitet të qeverisë me qytetarët e Republikës së Kosovës dhe me vendin në përgjithësi”, deklaroi Musliu.

Dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore, me energjinë elektrike, arrestimi i një aktivisti të LVV-së në Tiranë me drogë, incizimet mes shefes së GP të kësaj partie me akterë të Listës Serbe, e njohur si afera “Zdravo”, janë vetëm disa të paraqitura në një baner të Partisë Demokratike të Kosovës.

Musliu thotë se mënyra si Kurti i pranon këto skandale është paralajmërim se të tjerat janë duke ardhur.

"Të them të drejtën, tashmë nuk ka themel e kulm të skandaleve të Albin Kurtit, shtrirja e skandaleve po shkon në mënyrë horizontale, domethënë ka metastazu në çdo pore të shtetit. Duke pas parasysh që skandalet e një pas njëshme i pranon vetë Albin Kurti me aq inferioritet, edhe me aq arrogancë, kjo tregon që kemi mu ballafaqu edhe me skandale të tjera dhe duhet të jemi të përgatitur për çdo gjë që vjen në këtë vend. Ata as nuk kanë dije, as nuk kanë përvojë në menaxhimin e shtetit dhe mbi të gjitha po dëshmohen që as nuk kanë turp për veprat që i bëjnë”, tha Musliu.

Partitë opozitare parlamentare si PDK, LDK dhe AAK janë kritikuar se nuk kanë koordinim për të kundërshtuar pushtetin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Mirëpo, Musliu thotë se PDK ka parandaluar shumë të këqija për vendin duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese ndërsa thotë se nuk do të jetë destrkutive as në rrëzimin e Qeverisë.

"Unë nuk flas në emër të opozitës, unë flas si deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, dhe konsideroj që Partia Demokratike e Kosovës është duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në shërbim të qytetarëve të vendit. Ju e keni pa, shumë iniciativa të dëmshme ligjore i kemi penguar përmes Gjykatës Kushtetuese dhe shumë vendime të dëmshme për Kosovën i kemi penguar përmes Gjykatës Kushtetuese. Kemi marrë shumë iniciativa parlamentare dhe e kemi bërë punën tonë si opozitë, për çka edhe jemi në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Unë mendoj që Partia Demokratike asnjëherë nuk ka qenë destruktive në asnjë proces dhe nuk do të jetë destruktive as në procesin për rrëzimin e kësaj qeverie”, tha Musliu.

Skandal e vlerëson edhe mënyrën si pretendon Qeveria për të shkuar në zgjedhje të reja për kryetarë në katër komunat veriore.

Musliu thotë  se përmes peticionit, Kurti dëshiron të shfajësojë veten nga gabimet që ka bërë në veri.

"Veprimet e Qeverisë në raport me veriun e Kosovës që nga fillimi kur kanë ardhur në pushtet kanë qenë gjithmonë skandaloze, e skandal në vete përbën edhe i ashtuquajturi mocion për rrëzimin ose për marrjen e mandatit të kryetarëve të komunave veriore. Vet fakti që Qeveria asnjëherë nuk ka guxim që të dalë dhe të përballet me punët e veta, t'i sqarojë qytetarëve të Republikës së Kosovës që e ka pas gabim qasjen ndaj veriut dhe të kërkojë zgjedhje të reja atje, prapë mundohet që të kamuflojë dhe të bëjë, në një farë aspekti lojëra, kinse duhet të vijë mocion nga qytetarët e vendit për rrëzimin e kandidatëve që në fund të ditës mos ta marrë përgjegjësinë vet, por përgjegjësinë tua jap qytetarëve të vendit. Prandaj, sjelljen e Albin Kurtit karshi me veriun e Kosovës, nuk mund ta quaj ndryshe përveç skandal, skandal dhe vazhdon ta thellojë skandalin çdo ditë e më shumë dhe t'i ikë përgjegjësisë për çka është i thirrur nga qytetarët e vendit”, vijon Musliu.

Kosova vazhdon të jetë nën masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian për mungesë veprimesh për depërshkallëzimin e situatës në veri. Deri më tani, është reduktuar prezenca policore në dhe rreth objekteve komunale, por kjo nuk mjafton për BE-në që ditë më parë tha se pret të plotësohen edhe kërkesa të tjera.

Musliu tha se Kurti nuk është duke punuar për të hequr masat por për t’i shtuar ato.

"Unë konsideroj që Qeveria po vepron çdo ditë e më shumë në favor të sanksioneve dhe jo në heqjen e sanksioneve. Konsideroj që ka ardhë momenti që jo shtetet mike, jo që aleatët tanë, por që qytetarët e Republikës së Kosovës t'i vendosin sanksione kësaj qeverie, dhe ta shporrin nga pushteti”, deklaron Musliu.

Javë më parë, ish-anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Florin Krasniqi, tha se Ganimete Musliu, si kryetare e Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, duhet të kërkojë dosjen e Dejona Mihalit, kordinatore e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje.

Mirëpo, Musliu tha se për shkak se në komision vendimet merren me shumicë, dhe shumica e anëtarëve janë të koalicionit LVV-Guxo, nuk mund ta bëjë një gjë të tillë.

Sipas Musliut, tashmë janë pjekur kushtet që të ngrihet një komision hetimor parlamentar për Mihalin në mënyrë që të dihet saktësisht se kush është ajo dhe t'i tregohet qytetarëve të Republikës së Kosovës se cila është veprimtaria e Mihalit, kush e financon dhe cili është misioni dhe vizioni i saj për Kosovën.

“Konsideroj që janë pjekur kushtet tashmë që në vjeshtë, kur të fillojmë me sesionin vjeshtor, Parlamenti i Republikës së Kosovës të kërkojë komision hetimor parlamentar për të ditur saktësisht se kush është Dejona Mihali dhe t'i bëhet e qartë opinionit për këtë person. Sepse është krijuar mjaft mjegull, edhe pse shumë gjëra dihen. Ju e dini që ajo e ka pasur të ndaluar të hyjë në Kosovë dhe menjëherë me ardhjen e Albin Kurtit në pushtet, asaj i jepet nënshtetësia. Dhe unë mendoj që komisioni hetimor parlamentar duhet të fillojë nga Departamenti i dhënies së nënshtetësive për shumë qytetarë dhe në këtë rast jo vetëm për Dejona Mihalin. Unë besoj që duhet të verifikohet edhe procedurat se si iu është dhënë nënshtetësia edhe Martin Berishajt edhe personave të tjerë të cilët vërtetë i kanë krijuar dëm Kosovës me veprimtarinë e tyre”, tha Musliu.

Musliu tha se komisioni duhet të jetë profesional dhe i pavarur të prezantojë të gjeturat dhe jo të shpikë ose të jap raport hipotetike se çka mendon opozita apo kushdo tjetër./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat