2735 ditë prej ngritjes së aktakuzës, asnjë seancë ndaj Konjufcës dhe të tjerëve për gazin lotsjellës

Aktuale

2735 ditë prej ngritjes së aktakuzës, asnjë seancë ndaj Konjufcës dhe të tjerëve për gazin lotsjellës

Më: 19 gusht 2023 Në ora: 11:05
Glauk Konjufca

Kanë kaluar më shumë se 7 vjet e pesë muaj e 28 ditë prej kur Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj Glauk Konjufcës, Time Kadrijajt, Pal Lekajt, Teuta Haxhiut, Aida Dërgutit dhe Besa Baftijajt lidhur me gazin lotsjellës që ishte gjuajtur në Parlament gjatë vitit 2015.

Për gjithë këto 2 mijë e 735 ditë ka pasur disa herë tentime për t’u mbajtur seancat por kanë dështuar herë për mungesë të të akuzuarve e herë për arsye tjera.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi ka thënë për “Betimi për Drejtësi” se seanca e paraparë të mbahej në dhjetor të 2016-tës kishte dështuar për shkak të mungesës së palëve ndërsa seanca e shkurtit 2017 ishte anuluar për shkak të ndërrimit të trupit gjykues.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, nga gjyqtari i çështjes jemi informuar se në këtë çështje penale janë tentuar të mbahen seancat me datën 23.12.2016, e cila për shkak të mungesës së palëve nuk është mbajtur dhe është caktuar seanca e radhës për datën 02.02.2017, e cila për shkak të ndërrimit të kryetarit të trupit gjykues është anuluar”, ka thënë Gashi.

Tutje, Gashi ka njoftuar se kjo lëndë tashmë kishte kaluar në Departamentin e Përgjithshëm, përkatësisht në Divizionin Penal, mirëpo sipas asaj që dihet, as në këtë divizion nuk është mbajtur asnjë seancë.

“Me ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale, lënda ka kaluar në Departamentin e Përgjithshëm-Divizioni Penal”, tha Gashi.

“Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar edhe deputeten Kadrijaj e cila tha se që nga ngritja e aktakuzës ndaj saj, vetëm njëherë ka qenë e pranishme në një seancë gjyqësore dhe më asnjëherë nuk është ftuar.

“Jam ftu njëherë dhe kam marrë pjesë, më nuk kam qenë se nuk kam pas ftesë”, tha Kadrijaj.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtine më 22.02.2016 kishte ngritur aktakuzë ndaj kryekuvendarit Konjufca, Pal Lekajt, Besa Baftijajt, Aida Dërgutit, Time Kadrijajt, dhe Teuta Haxhiut lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në njërën nga seancat e Kuvendit të Kosovës, në dhjetor 2015.

Sipas aktakuzës, në dhjetor 2015, Glauk Konjufca, Pal Lekaj dhe Besa Baftijaj dhe Aida Dërguti kanë hedhur gazlotësjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës dhe në atë të kryesisë së Kuvendit për çka deputetët e pozitës i kanë lëshuar këto salla si dhe me forcë kanë penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Glauk Konjufca, Pal Lekaj, Besa Baftijaj dhe Aida Dërguti dyshohen për veprën penale “Përdorim i armës” nga neni 375 par.1.1 të KPK-së si dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare nga neni 409 par.1. të KPK-së.

Ndërsa, për Time Kadrijajn dhe Teuta Haxhiun, akti akuzues potencon se me 15 dhjetor 2015 kanë mbajtë në posedim armë në atë mënyrë që paraprakisht kanë siguruar armë që përdoret për shpërndarjen e gazit irritues.

Tutje, thuhet se pasi është hap seanca e Kuvendit, Teuta Haxhiu pasi e ka mbajtë në posedim armën e lartpërmendur, të njëjtën ia ka dorëzuar Time Kadrijajt e cila po ashtu e ka mbajtë në posedim dhe më pas ia ka dorëzuar, Pal Lekajt i cili e ka përdorur.

Time Kadrijaj dhe Teuta Haxhiu ngarkohen me veprën penale “Mbajtja në posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 par.1 i KPK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat