​Zvogëlohet numri i vdekjeve në punë dhe rritet numri i gjobave

Aktuale

​Zvogëlohet numri i vdekjeve në punë dhe rritet numri i gjobave

Më: 19 gusht 2023 Në ora: 12:26
Foto ilustrim

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikqi deklaroi se nga moszbatimi i kushteve, këtë vit kanë humbur jetën pesë persona në vendin e punës, kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë. Megjithatë, theksoi se me rritjen e numrit të inspektorëve është rritur numri i gjobave dhe të drejtat e punëtorëve respektohen më shumë.

Nikqi tha se me rritjen e numrit të inspektorëve të punës, synohet të rritet edhe prezenca e inspektorëve në terren, në këtë formë të sigurohet që po zbatohet ligji i punës.

Duke folur për rritjen e inspektimeve, Nikqi tha se edhe numri i gjobave në terren për kompanitë që nuk kanë zbatuar ligjin për punëtorët, është dyfishuar krahasim me vitin e kaluar. Për këtë, ai potencoi se kanë rritur numrin e inspektorëve të punës, ku nga 33 sa ishin, tani janë 77.

Nikqi: Nga 33 inspektorë të punës, sot kemi 77 inspektorë

“Para një kohe ne kemi shpall konkurs për 19 pozita jashtë shërbimit civil, përmes departamentit për menaxhimin e zyrtarëve publikë, kjo sipas procedurës dhe ligjeve në fuqi. Nga këto 19 pozita, ne kemi arritur t’i rekrutojmë 18 kandidatë për punën e inspektorit të punës. Paralelisht, ne kemi shpallur edhe një konkurs për lëvizje të brendshme, brenda shërbimit civil për 50 pozita për inspektorë të punës, dhe nga këto pozita, kemi arritur të rekrutojmë 19 pozita, ku në total nga pozitat jashtë dhe brenda, ne kemi rekrutuar 37 inspeketorë të punës të ri. Nga ajo që kishim para këtij konkursi, vetëm 33 inspektorë të punës, ne sot kemi 77 inspektorë të punës”, thotë Nikqi.

Me rritjen e inspektorëve të punës, Nikqi thotë se do të respektohen edhe të drejtat e punëtorëve më shumë.

Nikqi: Me rritjen e inspektorëve, të drejtat e punëtorëve do të respektohen më shumë

“Sigurisht mbikëqyrja e zbatimeve ligjeve që ne mbikëqyrim do të jetë shumë më e madhe, prezenca e inspektorëve në terren do të jetë shumë më e madhe dhe rrjedhimisht edhe të drejtat e punëtorëve do të respektohen më shumë”, vijon Nikqi.

Ai shton se sektori i ndërtimtarisë mbetet ende sektori me shkeljen më të madhe të ligjit të sigurisë dhe shëndetit në punë.

Nikqi: Pesë persona kanë humbur jetën këtë vit për shkak të kushteve të punës

“Vitin e kaluar në vendin e punës për arsyeje të kushteve të punës, kanë humbur jetën 15 persona, ndërsa këtë vit, deri tash, në vendin e punës për arsyeje të kushteve të punës, kanë humbur jetën pesë persona. Kjo diferencë apo ky numër, këtë vit që është më i vogël, është si rezultat i rritjes së numrit të inspektimeve gjatë këtij viti që kemi pas. Kemi një ndryshim apo një pakësim të numrit të vdekjeve në vendin e punës si rezultat i kushteve të punës”, shton Nikqi.

Nikqi shtoi se është dyfishuar edhe numri i gjobave për kompanitë që nuk kanë respektuar ligjin për të drejtat e punëtorëve.

Nikqi: Vetëm në shtatë mujorin e parë këtë vit janë shqiptuar 537 gjoba

“Ne kemi rrit edhe numrin e gjobave për shkeljen e ligjit të punës, ligji për siguri dhe shëndet në punë dhe ato kompani që gjatë inspektimit konstatohet se kanë shkelur ligjin si të punës dhe për siguri në punë, gjobiten nga inspektorët e punës... Përgjatë vitit 2022, kanë qenë të shqiptuara në total 359 gjoba. Ndërsa për janar-korrik, të këtij viti, janë shqiptuar 537 gjoba. Gjobat më së shumti që shqiptohen janë në sektorin e ndërtimtarisë, sepse në këtë sektor konstatohen shkelje të ligjit të sigurisë dhe shëndetit në punë më së shumti”, thotë Nikqi.

Po ashtu, ai tha se janë duke punuar edhe në digjitalizimin e inspektimeve në terren. Kjo sipas tij, rrit kontrollin nga mbiçkyrësit në kohë reale dhe rrit numrin e inspektimeve.

Nikqi: Jemi duke punuar edhe në digjitalizimin e inspektimeve

“Krahas rritjes së numrit të inspektimeve dhe mbikëqyrjes sa më shumë të ligjeve për zbatimin e tyre, ne gjithashtu kemi nis edhe një proces të digjitalizimit të inspektoratit të punës... Ky digjitalizim parasheh që inspektimet në terren të bëhen në mënyrë digjitale dhe jo me letër të fortë qysh bëhen aktualisht, kjo rrit efiçencen, rrit kontrollin e inspektimit nga mbiçkyrësit në kohë reale dhe gjithashtu rrit numrin e inspektimeve”, përfundon Niqki.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat