Sulmuesit e Valon Sylës kërkojnë ligjet fetare, nuk pranojnë të gjykohen me ligjet e Kosovës

Aktuale

Sulmuesit e Valon Sylës kërkojnë ligjet fetare, nuk pranojnë të gjykohen me ligjet e Kosovës

Më: 21 gusht 2023 Në ora: 13:48
Foto ilustrim

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën është mbajtur shqyrtimi fillestar në të cilin të akuzuarit Lum Dervishi, Kenan Hasani dhe Okan Hasani janë mbrojtur në heshtje, duke mos pranuar që të gjykohen sipas ligjeve në fuqi por vetëm sipas ligjeve fetare.

Fillimisht, i akuzuari Lum Dervishi tha se nuk pranon të gjykohet me ligjet në fuqi, por se sulmin e bërë ndaj të dëmtuarit gazetarit Valon Syla nuk e mohoi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk pranoj të gjykohem me këto ligje, nuk e kam mohu në stacion. E kam pranu në Prokurori, e pranoj edhe tash”, tha i akuzuari Dervishi.

Kurse, i akuzuari Kenan Hasani tha se mund të gjykohet vetëm më ligjet islame dhe se nuk e pranon gjykimin i cili po bëhet.

“Veprimin edhe unë e pranoj çfarë ka ndodhë, mirëpo gjykimin nuk e pranoj sepse si mysliman duhna m’u gjyku vetëm me ligj islam, unë nuk deklarohem”, tha i akuzuari Kenan Hasani.

Dhe në fund, i akuzuari Okan Hasani tha se nuk mund të deklarohet dhe se nuk pranon një gjykim të tillë.

“Nuk mund të deklarohem”, tha i akuzuari i fundit Okan Hasani.

Më pas, gjykatësja Violeta Namani njoftoi mbrojtësit e të akuzuarve që në afat prej 30 ditësh kanë mundësinë për të paraqitur kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin të provave.

Paraprakisht, aktakuza u lexua nga prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu, e cila shtoi se tek të akuzuarit janë gjetur elementet e veprës penale “Lëndim i lehtë truporë”.

Ndryshe, mbrojtësi i caktuar sipas detyrës zyrtare i të akuzuarit Kenan Hasani, avokati Ridvan Kajtazi deklaroi se nuk është as në kompetencë të Departamentit Special dhe as të Prokurorisë Speciale gjykimi për këtë vepër penale.

Sipas avokatit Kajtazi, për vepra penale “Lëndim i lehtë truporë” nuk shkruan askund në ligjin për Prokurorinë Speciale se e njëjta si vepër mund të gjykohet nga kjo Prokurori, duke kërkuar në fund nga gjykata që të vlerësojë kompetencën për gjykimin e këtij rasti.

Prokurorja Fajzullahu lidhur me këtë deklarim të avokatit Kajtazi, tha se e kundërshton në tërësi pasi që Prokuroria Speciale është e rangut më të lartë dhe mund të këtë kompetencë në procedimin  e këtyre rasteve.

Për kërkesën e avokatit Kajtazi, gjykatësja Namani tha se do të vendosë jashtë seancë dhe se me kohë do t’i njoftojë palët në procedurë.

Po ashtu, në tërësi mbrojtësi e të akuzuarve i kërkuan gjykatës që të bëjë zëvendësimin e masës së arrestit shtëpiak me ndonjë masë tjetër më të butë, pasi që sipas tyre kanë pushuar arsyet për ekzistimin e kësaj mase.

Prokurorja Fejzullahu e kundërshoi në tërësi këtë propozim, pasi që sipas saj ekziston rreziku i ndikimit në të dëmtuarin dhe dëshmitarë ose rreziku i kryerjes së ndonjë vepër tjetër penale, marrë parasysh edhe sjelljen e të akuzuarve para gjykatës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat