Shtëpia botuese i reagon Ministrisë për librat shkollorë: Kemi bërë ofertë më të lirë se vitin e kaluar

Aktuale

Shtëpia botuese i reagon Ministrisë për librat shkollorë: Kemi bërë ofertë më të lirë se vitin e kaluar

Më: 21 gusht 2023 Në ora: 16:43
Foto ilustrim

Shtëpia botuese “Dukagjini” thotë se Ministrisë së Arsimit këtë vit ia ka bërë ofertën më të lirë se vitin e kaluar, për furnizimin me libra shkollorë për nxënësit e shkollave fillore.

Ky reagim doli pas njoftimit të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavcit, se këtë vit, për herë të parë pas shumë vitesh, nuk do t’u sigurohen librat nxënësve që nisin mësimin në fillim të shtatorit. Sipas ministres, prindërit duhet t’i blejnë vetë librat e fëmijëve, por Qeveria do t’i rimbursojë ata.

Nga Ministra e Arsimit kanë thënë sot se çmimet e ofertuara nga shtëpitë botuese janë të “papërballueshme” për buxhetin e ndarë. Mirëpo, këtë  e mohon një nga shtëpitë botuese, e cila thotë se çmimet sivjet kanë qenë më të lira se vitin e kaluar.

Njoftim:

Kemi ofertuar më lirë se vitin e kaluar.

Shtëpia botuese “Dukagjini” është duke përcjellë me vëmendje diskutimin që është duke u bërë në raport me librat për filloristët.

Shtëpia jonë botuese, për hir të transparencës, dëshiron ta njoftojë opinionin publik se në ofertimin që kemi bërë në Ministri, pavarësisht inflacionit dhe rritjes globale të çmimeve, ne kemi ofertuar me çmim më të lirë për rreth 4% krahasuar me vitin 2022.

Megjithkëtë, shtëpia botuese “Dukagjini” do ta bëjë maksimumin që t`i përmbushë obligimet që dalin nga legjislacioni në fuqi.

Për shtëpinë tonë botuese, pajisja e fëmijëve me libra është prioritet mbi prioritetet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat