Kurti me kërkesë për Von der Leyen, bisedojnë edhe për dialogun

Aktuale

Kurti me kërkesë për Von der Leyen, bisedojnë edhe për dialogun

Më: 21 gusht 2023 Në ora: 20:13 Përditësuar në ora: 21:21 më 21.08.2023
Foto nga takimi

Darka në Athinë/ Zelensky për herë të parë në Greqi, liderët e Ballkanit me Mitsotakis, të pranishëm Von der Leyen e Charles Mishel. Mungon Rama

Është mbajtur mbrëmjen e sotme Samiti në Athinë me liderët e Ballkanit Perëndimor, organizuar nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.

Darka u zhvillua në Megaros Maximos, mes të pranishmëve ishin edhe Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel, si edhe presidenti ukrainas Volodymir Zelensky.

Në fokus të darkës informale ishte zgjerimi dhe e ardhmja europiane e rajonit, në kuadër të 20-vjetorit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor po ashtu edhe të “Deklaratës së Selanikut”.

Në këtë takim mungoi ftesa ndaj kryeministrit Edi Rama. Arsyeja sipas zëdhënësit të qeverisë greke ishte bërë çështja e Fredi Belerit.

Ndërsa nga ana tjetër presidenti Bajram Begaj refuzoi të marrë pjesë

Arrestimi i Fredi Belerit për blerje votash ka ndikuar në përkeqësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, tha ndër të tjerë në një intervistë të zhvilluar më herët zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis.

Liderët që po marrin pjesë:

Përveç krerëve të institucioneve evropiane Ursula von der Leyen dhe Charles Michel, si dhe Volodymyr Zelensky, në darkë marrin pjesë:

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç,

Presidentja e Moldavisë Maia Sandu,
Presidenti i Malit të Zi Jakov Milatovic,
Kryeministri i Rumanisë Ion-Marcel Ciolacu,

Presidentja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës Borjana Kristo,
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovacevski,

Kryeministri i Bullgarisë Nikolai Denkov,
Kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviç.

Çfarë u diskutua mes Zelenskyt dhe Mitsotakis:

Kryeministri grek zhvilloi një takim privat në Pallatin Maximos me presidentin e Ukrainës, Volodymir Zelenskyn.

Mitsotakis shprehu mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë për luftën e Ukrainës duke u shprehur se krimet e luftës të kryera në Ukrainë duhet të ndëshkohen nga drejtësia ndërkombëtare.

Po ashtu njoftoi se ai dhe presidenti Zelensky nënshkruan një deklaratë të përbashkët për kursin euroatlantik të Ukrainës.

“Ne jemi bashkëudhëtarë dhe përkrahës të vendit. Solidariteti ynë ka ekzistuar që në fillim dhe do të vazhdojë”, ka thënë ai.

Volodymyr Zelensky ka zhvilluar vizitën e tij të parë zyrtare në Greqi dhe e para që nga pushtimi rus i Ukrainës.

“Greqia qëndron pranë Ukrainës”

Kryeministri grek me postimin e tij në (Tëitter), theksoi se Greqia qëndron “në krah të Ukrainës, pasi mbron sovranitetin dhe integritetin e saj territorial”.

Mitsotakis shkroi: “Jam i lumtur të mirëpres Presidentin Zelensky në Athinë! Greqia qëndron në krah të Ukrainës ndërsa mbron sovranitetin dhe integritetin e saj territorial. Ne qëndrojmë me popullin trim të Ukrainës ndërsa ata luftojnë për lirinë dhe pavarësinë e tyre”.

Kurti takohet me Von der Leyen, bisedojnë për dialogun

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, përderisa po qëndron në Athinë, është takuar me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Sipas njoftimit të zyrës së qeverisë, një ndër temat kryesore të këtij diskutimi ishin çështjet bilaterale mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, me theks të veçantë në zbatimin e reformave.

“Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor (EU Growth Plan), të prezantuar nga vetë Presidentja Von der Leyen në Bratisllavë, zbatimi i marrëveshjeve nga Tregu i Përbashkët Rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit, si dhe dialogu në Bruksel ishin ndër tema kryesore të diskutimit”, thuhet në njoftim.

“Kurti u shpreh se Kosova ka shënuar progres ekonomik edhe në këtë vit. Ai theksoi se rritja ekonomike reale për çerekun e parë të vitit 2023 është 3,9%. Në gjysmën e parë të 2023-tës të hyrat janë shtuar për 15,8%. Ndërkaq nënvizoi se inflacioni ka rënë nga 11,9% sa ishte në janar në 2,8% në qershor. Inflacioni këtë vit vlerësohet që të jetë në 5.2%”.

“Ai kujtoi takimin e Bratisllavës me 10 korrik për de-eskalim dhe theksoi se për rreth dy muaj nuk ka asnjë incident e as protesta të dhunshme në katër komunat në veri të Kosovës, ndërkohë që kemi edhe numër të shtuar të punëtorëve në ndërtesat komunale. Kosova ka zbatuar zotimet e saj dhe është e rëndësishme që BE të largojë masat”.

“Tutje, në bashkëbisedim ai i kushtoi vëmendje edhe rëndësisë së zbatimit të marrëveshjeve, duke përfshirë marrëveshjet në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal që janë nënshkruar në Berlin në nëntorin e kaluar si pjesë e Procesit të Berlinit”.

Kurti sonte do të marrë pjesë në darkën e ftuar nga kryeministri grek, Mitsotakis, për liderët e Ballkanit Perëndimor, e cila po mbahet në 20-vjetorin e Samitit të Selanikut.

Athinë: Von der Leyen i kërkon Kurtit ta shtensionojë situatën në veri e t’i kthehet dialogut

Gjatë qëndrimit të tij në Athinë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Në këtë shkëmbim, komisionerja evropiane i ka kërkuar Kurtit të angazhohet në depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës.

Njëherit, Von der Leyen ka theksuar nevojën e përkushtimit në plotësim të obligimeve të parapara në dialog me Serbinë.

”Diskutova me kryeministrin Albin Kurtin për nevojën e de-përshkallëzimit të tensioneve në veri të Kosovës, e riangazhimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe për të zbatimit të marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka njoftuar ajo.

”Është jetike të rrëzohen barrierat në rajon dhe Ballkani Perëndimor më afër BE-së”, tha tutje Von der Leyen.

Për këtë takim ka njoftuar edhe vetë kryeministri Albin Kurti.

“Diskutuam marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin rajonal, planin e rritjes së BE-së për BB6 dhe dialogun. Për këtë të fundit, theksova rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazë”, shkroi kryeministri në Twitter.

Kujtojmë se Kurti po qëndron në Athinë të Greqisë me ftesë të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis. Ai pritet të jetë pjesë e një darke joformale me liderë të tjerë të Ballkanit Perëndimor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat