Haradinaj reagon pas kërcënimit të Ministrit të Vuçiqit: Kjo gjuhë i shkaktoi tragjeditë në Ballkan

Aktuale

Haradinaj reagon pas kërcënimit të Ministrit të Vuçiqit: Kjo gjuhë i shkaktoi tragjeditë në Ballkan

Më: 21 gusht 2023 Në ora: 20:30
Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se Serbia po vazhdon të kërcënojë vendet e rajonit duke e luajtur rolin e të fuqishmit.

Ai ka shtuar se një gjuhë e tillë solli tragjedi në Ballkan, nga e cila popujt e Ballkanit ende i vuajnë plagët.

Deklarata e Haradinajt vjen pasi miinistri i Mbrojtjes të Serbisë, Millosh Vuçeviq tha se Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e kanë ofenduar Serbinë me njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se kjo paraqet ndërhyrje në punët e brendshme të një vendi dhe duke kërcënuar me destabilizimin e rajonit.

”Serbia po flet me gjuhën e të fuqishmit dhe po kërcënon vendet e rajonit që e kanë njohur Kosovën, dhe po paralajmëron edhe vendet e tjera që do ta njohin Kosovën.  Kjo gjuhë i takon të kaluarës dhe kjo gjuhë i shkaktoi tragjeditë, plagët e të cilave ende i vuajnë popujt e Ballkanit. Vendet e lira, në vendimet e tyre të bazuara në interesin e tyre nacional, e kanë njohur Kosovën“, ka shkruar ai në Facebook.

Tutje, ai ka thënë se Serbia duhet t’i kthehet gjuhës së arsyjes.

”Serbia duhet ta ndal gjuhën e të fuqishmit, të ndal kërcënimet dhe mos të harrojë se e ka një marrëveshje me Kosovën, planin franko-gjerman të përkrahur nga Amerika, dhe t’i kthehet gjuhës së arsyes. Kosova nuk do të ndalet nga rruga e vet drejt integrimeve euroatlantike. Do të ishte e mençur për Serbinë, që të lëviz nga “status quo” në të cilën gjendet“, ka deklaruar Haradinaj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat