​LDK kërkon dorëheqjen e Nagavcit: Vendimi për librat provokon krizë të re

Aktuale

​LDK kërkon dorëheqjen e Nagavcit: Vendimi për librat provokon krizë të re

Më: 22 gusht 2023 Në ora: 10:59
Jehona Lushaku-Sadriu

Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se dëshiron të provokojë një krizë të re me vendimin për rimbursimin e prindërve për librat shkollorë. Kryetarja e Forumit të Gruas së kësaj partie, Jehona Lushaku-Sadriu tha se kostoja e rimbursimit do të jetë 20% më e lartë sesa në rast se Ministria e Arsimit (MASHT) do të blinte librat vet siç e obligon ligji.

Vendimi i fundit i MASHT që librat shkollorë duhet të blihen nga prindërit, për LDK-në, sjell konfuzitet dhe dëshmon papërgjegjësinë e Qeverisë së Kosovës për të planifikuar buxhetin dhe për të menaxhuar procesin e sigurimit të teksteve shkollore në kohë.

Lushaku-Sadriu tha se ministria në emër të kursimit të buxhetit ka vendosur të zgjedh një variant të ri i cili do të jetë shumë më i kushtueshëm për buxhetin e Kosovës. Sipas saj, me këtë vendim Qeveria jo që nuk do të kursejë por do të dëshmohet se blerja me pakicë e librave do të shkaktojë kosto më të lartë për buxhetin e shtetit.

Ajo u shpreh se çmimi i librave do të dal më i shtrenjtë për shkak se në çmim do të përshihet edhe kostoja e shitjes me pakicë, kostoja e distrubuimit të librave dhe kostoja e menaxhimit të ekzekutimit të mjeteve tek prindërit.

Lushtaku-Sadriu: Çmimi i librave do të dal 20% më i shtrenjtë

Në bazë të këtyre llogaritjeve, çmimi i librave do të dal 20% më i shtrenjtë sesa buxheti i planifikuar për to. Prandaj pretendimi për caktimin tavan nga Qeveria është i vështirë në këtë fazë për shkak se kërkon vlerësim për secilin tekst mbi parametra të caktuara. Përfundimisht Qeveria do të paguajë më shtrenjtë rimbursimin e prindërve se sa të blinte vet librat, shuma mund të shkojë edhe më shumë se 2 milionë nga buxheti që është paraparë për librat. Kjo nuk është zgjidhje për kursim parash siç po thotë ministrja (Nagavci), por që ka ardhur si rezultat i paaftësie totale të ministrisë dhe ministres”, deklaroi Lushaku-Sadriu.

Lushaku-Sadriu e bëri përgjegjëse direkte ministren Arbërie Nagavci, që sipas saj, ka dështuar të planifikojë fillimisht buxhetin adekuat për blerjen e librave shkollorë, e më pas ka dështuar të negociojë dhe të gjejë zgjidhje adekuate dhe të shpejtë, dhe në kohë, si dhe ka vendosur ad-hoc për një metodë shumë më të komplikuar, ma të paditur dhe më të vështirë të implementueshme.

Për këtë arsye, ajo ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Nagavcit.

Lushaku-Sadriu: Kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të ministres Nagavci

“Kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të ministres Nagavci për shkak të keqmenaxhimit, shkeljeve sistematike të ligjeve në fuqi, fillimisht Kushtetutës, dhe të anarkisë së krijuar në sistemin e arsimit. Kosova nuk meriton një ministre që ka dështuar në çdo nivel të menaxhojë me arsimin por përfundimisht është dorëzuar duke ia bartur përgjegjësinë prindërve. Një ministre por edhe një Qeverie e tillë është e dëmshme edhe për Kosovën, prandaj ikja e sotme duhej të bëhej menjëherë”, vijoi Lushaku-Sadriu.

Ky vendim për librat shkollorë, për LDK-në, është provokim për një krizë të re me qëllim që të minimalizohen temat e tjera të rëndësishme në të cilat është duke dështuar Qeveria e Kosovës.

Lushaku-Sadriu: Po provokohet një krizë e re

“Mendoj që është përtej eksperimentit, nuk jemi në një fazë kur duhet të eksperimentojmë me arsimin, aq më tepër jemi në një fazë urgjente kur mësimi duhet të fillojë me 1 shtator, tani kemi një provokim tërësisht nga ana e Qeverisë për situatën për të krijuar një krizë të re, dhe mendoj që përfundimisht kjo është një provokim i një krize të re për sistemin e arsimit me qëllim që të mineralizohen dhe temat e rëndësishme të tjera të cilat qeveria nuk po arrin të menaxhojë”, tha Lushaku-Sadriu.

Lushaku-Sadriu tha se do të kërkojnë përgjegjësi për këtë vendim edhe në Kuvendin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat